Christian Giuntoli ka nisur punën di drejtor sportiv i Juventusit, teksa pasditen e të martës ka pasur një takim me disa prej drejtuesve më të lartë të klubit bardhezi, ku natyrisht tema kryesore e bisedës ka qenë merkatoja.
Koha për të planifikuar organikën me të cilën do të përballojë sezonin e ri, është e shkurtër, ndaj drejtuesit janë munduar të qartësojnë idetë, në mënyrë që Giuntoli të nisë menjëherë nga puna.
Kështu emra si Weston McKennie, Denis Zakaria dhe Arthur nuk bëjnë pjesë në planet e bardhezinjve për sezonin e ardhshëm, ndaj Giuntoli do të duhet të dëgjojë ofertat më të mira për t’i shitur.
Në dyshim janë edhe Dusan Vlahovic e Federico Chiesa, dy emra të mëdhenj, por që janë të pakënaqur dhe mbi të gjitha kanë treg në Europë, ndaj në rast të një oferte interesante, bardhezinjtë do t’i largonin pa dyshim.
Sa i përket merkatos në hyrje, te Juventusi duan të sjellin serbin Sergej Milinkovic-Savic, i cili aktualisht luan me Lazion, por është në vitin e fundit të kontratës dhe do të largohet këtë verë.
Kartoni i tij vlerësohet rreth 30-35 milionë euro, teksa te Juventusi janë të bindur që bashkë me Rabiot e Pogba, mund të formojnë një mesfushë shumë konkurruese.
Një tjetër futbollist që Giuntoli e preferon është edhe suedezi Holm, për të cilin Spezia kërkon të paktën 15 milionë euro, shifër kjo e konsideruar e lartë nga Juventusi, megjithatë mund të ulet nëse përfshihet në marrëveshje ndonjë lojtar nga të rinjtë e bardhezinjve. /Supersport
Top Channel