Shkëlqeu në të katër provimet me notën 10! Kush është maturanti ekselent që triumfoi në Maturën Shtetërore

05/07/2023 11:02

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi e nisi ditën me një takim të përbashkët me maturantin e gjimnazit “Qemal Stafa”, Egnald Çela, i cili shkëlqeu në të katër provimet e Maturën Shtetërore, duke u vlerësuar me notën 10.00.

Egnaldi është maturanti i vetëm që mori rezultatet më të larta në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore këtë vit.

“Një mëngjes plot energji pozitive dhe optimizëm sot me Egnald Çelën, maturantin e gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë, i cili shkëlqeu në Maturën Shtetërore të këtij viti si i vetmi maturant në të gjithë vendin që në të katër provimet u vlerësua me notën 10.00.

Egnaldi nuk ishte surprizë për mua sepse për shkak të rezultateve të tij të shkëlqyera çdo vit në shkollë, u përzgjodh nga Ministria e Arsimit dhe Sportit që të moderojë Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe që organizuam këtë vit me shkollat nga e gjithë Shqipëria.

Të rinj si Egnaldi janë frymëzim jo vetëm për bashkëmoshatarët e tij, por edhe për ne, që të punojmë çdo ditë e më shumë për të rritur cilësinë në arsim por edhe për të krijuar mundësi të reja për zhvillimin e talentit dhe ambicieve të tyre.

Urimet më të mira dhe suksese për Egnaldin që ka vendosur të studiojë për inxhinieri dhe ka pasion inteligjencën artificiale!”- shkruan Kushi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA