Gjykata e Tiranës ka dënuar me 15 vite burg Fredi Rrushin, i akuzuar për rrëmbimin dhe masakrimin e biznesmenit Rruzhdi Hoxha në Malin e Dajtit, në Tetor të 2021-shit. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se për shkak të gjykimit të shkurtuar Rrushi do të vuaj 10 vite burg.

Organi i akuzës kërkoi në total 23 vite burgim për Fredi Rrushin, duke e akuzuar atë për vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje, fshehje ose asgjësim i kufomës. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, me aplikimin e uljes së 1/3 së dënimit, Prokuroria kërkoi në përfundim 18 vite burg për Fredi Rrushin.

Ndërsa për vëllain e tij, Pajtim Rrushi, kërkoi 1.6 vite burgim për akuzën e veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, edhe kjo pretencë ulet me 1/3.

Trupi i pajetë i biznesmenit Ruzhdi Hoxha u gjet në zonën e Qafë Mollës në Malin e Dajtit, 17 ditë pasi kishte festuar me miqtë e tij, mes të cilëve edhe Fredi Rrushin. Zhdukja e biznesmenit u denoncua nga i biri, Saimir Hoxha, i cili sqaroi se për orë të tëra i ati ishte parë nën shoqërinë e vrasësit. Pak ditë mbas krimit Fredi Rrushi u shoqërua për t’u marrë në pyetje, ku dhe u zbulua se ishte i kërkuar nga Italia për çështje droge, dhe se askush nuk e kishte arrestuar.

Top Channel ka siguruar dosjen e vrasjes së Rruzhdi Hoxhës, ku thuhet se: “Në trupin e kufomës së dekompozuar (në fazën e fryrjes dhe lëngëzimit) të shtetasit Ruzhdi Hoxha u konstatuan: dy plagë armë zjarri tejshkuse në gjoks, njëra me vrimë hyrje njëra në muskujt pektoral të majtë dhe vrima dalëse në pjesën e sipërme të klavikulës së majtë, me dëmtim të lëkurës dhe muskujve pektoral pa dëmtim të organeve të brendshme. Plaga tjetër armë zjarri tejshuese, në anën sipërme të sternumit dhe vrime dalje në shpatullën e majtë e shoqëruar me çarje dhe kontuzion të mushkrisë së majtë, çarje të zëmrës së grumbullim gjaku në zgavrën e majtë të gjoksit dhe thyerje e kockës së shpatullës së majtë.”

Nga kqyrja e kufomës së shtetasit Rruzhdi Hoxha, kryerja e veprimeve mjekoligjore, marrja e kampioneve dhe përpilimi i veprimeve bilogjike, kimike dhe teknike rezulton se dëmtimet e biznesmenit janë shkaktuar nga dy predha armë zjarri. Shkaku i vdekjes së shtetasit Ruzhdi Hoxha ka qenë shoku traumatik hemoragjik, thuhet në aktin e ekspertimit.

Top Channel