Nuk ka surpriza sa i takon trajnerit të ri të Paris Saint-Germain.
Ai është Luis Enrique që tashmë edhe në formë zyrtare ulet në stolin e kryeqytetasve teksa spanjolli firmosi një kontratë dyvjeçare. Luis Enrique pason në këtë detyrë Christophe Galtier që u shkarkua nga detyra pas vetëm një sezoni.
Kujtojmë se aventura e fundit për Luis Enriquen ka qenë ajo me kombëtaren e Spanjës të cilën e udhëhoqi edhe në Botërorin e Katarit, aty ku iberikasit nuk shkuan përtej raundit të 1/8-tave. Në fjalët e tij të para si trajner i Parisit, 53-vjeçari u shpreh se i bindur se do të ketë në zotërim një skuadër të denjë për të fituar në çdo kompeticion ku merr pjesë.
“Jam shumë i lumtur t’i bashkohem Paris Saint-Germain për të shijuar një eksperiencë të re. për mua është shumë emocionuese të njoh njerëz të rinj, të jetoj dhe të mësoj një gjuhë të re. Por, mbi të gjitha është një kënaqësi e madhe të drejtoj PSG, jam i bindur se do të kemi një skuadër të madhe.
Mbappe? Ai është pjesë e Parisit në momentin që unë kam firmosur, por në merkato shumë gjëra mund të ndryshojnë. Nuk dua të flas shumë, do të bëjmë më të mirën për skuadrën e PSG-së”, u shpreh Enrique./ SuperSport
Top Channel