Telenovela për të ardhmen e Kylian Mbappe është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes ashtu si edhe merkaton e kaluar.
Sulmuesi deklaroi se nuk dëshiron të vazhdojë me Paris Saint-Germain përtej vitit 2024 dhe me një vit të mbetur në kontratë, francezi mund të largohet me parametër zero verën e ardhshme.
Një opsion që te Parisi kërkojnë ta shmangin me çdo kusht teksa presidenti Nasser Al-Khelaifi theksoi se Mbappe ose do të shitet këtë verë, ose do të rinovojë kontratën dhe më pas të largohet verën e ardhshme pasi sipas tij nuk ka asnjë shans që futbollisti më i mirë në botë të largohet me parametër zero.
“Nuk duam që ta humbasim Mbappe me parametër zero në vitin 2024. Pozicioni jonë është shumë i qartë. Nëse Mbappe kërkon të qëndrojë atëherë edhe ne duam që ai të qëndrojë. Por, duhet të nënshkruajë një kontratë të re.
Nuk mund të humbasin futbollistin më të mirë në botë me parametër zero, është e pamundur. Ai duhet të rinovojë. Mbappe na ka premtuar se nuk do të largohet falas, nëse del nga fjala pastaj nuk është faji im”, u shpreh Al-Khelaifi./ SuperSport
Top Channel