I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të mërkurën se vizita në Prishtinë e Beograd i kanë ndihmuar në qartësimin e hapave të ardhshëm për shtensionimin e situatës.
Ai i bëri këto komente në rrjetet sociale pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Beograd, në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza në veri të Kosovës.
Zoti Lajçak tha se pati një bisedë të hapur e të sinqertë me presidentin serb “mbi rrugën përpara, duke përfshirë nevojën për zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrje të serbëve të Kosovës si dhe rikthimin në dialog”.
Presidenti serb, Aleksadar Vuçiç tha pas takimit me zotin Lajçak se është diskutuar për situatën në Kosovë, mënyrat për të qetësuar tensionet në terren dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Ai tha se “edhe një herë paralajmërova se populli serb në Kosovë është i ekspozuar ndaj torturave dhe përndjekjeve më të rënda në 15 vitet e fundit dhe ripërsërita kërkesat për respektimin e të drejtave dhe sigurisë së tyre”, shkroi presidenti serb në rrjetet sociale.
Bashkimi Evropian po kërkon nga Kosova e Serbia që të përmbushin tre kërkesa që përfshijnë pezullimin e operacioneve policore, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.
Zoti Lajçak shkoi në Beograd, pas një vizite në Kosovë ku theksoi pas takimeve me udhëheqësit në vend se ka një mirëkuptim për nevojën për të ecur përpara me këtë plan tre pikësh.
“Ende duhet të vazhdojmë diskutimet tona për hapat konkretë që do të na çojnë atje”, tha zoti Lajçak.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se me të dërguarin evropian kanë diskutuar për shtensionimin e situatës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa e vlerësoi takimin si pozitiv.
“Këto tre pika unë praktikisht u kam thënë që në masë të konsiderueshme qeveria ka shprehur gatishmërinë sepse për zgjedhjet e parakohshme jemi dakord dhe zgjedhjet e parakohshme e rregullojnë edhe çështjen e kryetarit në komunën e Leposaviçit, sepse me zgjedhje ka ardhur kryetar dhe zgjedhje largohet. Unë nuk mendoj që duhet të ketë mënyra tjera të drejta e ligjore për të larguar kryetar të zgjedhur”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se para mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave në veri duhet të sigurohet përgatitja e duhur në mënyrë që procesi mos të dështojë.
“Shumë kollaj është të themi zgjedhje të parakohshme dhe unë jam për to, nuk jam që të vazhdohet me legjitimitet të zgjedhjeve ku pjesëmarrja ka qenë 3.5 për qind mirëpo në anën tjetër nëse nuk ke asnjë gramë garanci që në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme nuk përsëritet 23 prilli duhet të mendojmë e rimendojmë për përgatitjen më mirë”, tha ai.
Vizita e zotit Lajçak në Kosovë e Serbi ndodh në kuadër të përpjekjeve të diplomacisë perëndimore për gjetjen e një zgjidhjeje pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës që nisi në fund të muajit maj, ndërsa autoritetet filluan zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve të 23 prillit të bojkotuara nga partitë politike serbe. Diplomatët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në një kohë kur as Kosova dhe as Serbia nuk kanë ndërmarrë hapa për uljen e tensioneve me gjithë thirrjet e tyre./VOA
Top Channel