Në Dropull është duke u mbajtur festivali i tretë ndërkombëtar i filmit të shkurtër. 40 filma kryesisht të regjisorëve grekë, shqiptarë dhe kosovarë janë në konkurrim, 11 prej të cilëve filma të animuar për të rritur.
Filmat janë realizuar nga regjisorë të rinj nga të dy vendet dhe sjellim tematika që prekin të përditshmen, sfidën për të gjetur veten, vetminë brenda një shoqërie që nxiton, diferencat e botëkuptimit mes brezave, fantazinë dhe realitetin, identitetet e shumëfishta që të imponon shoqëria moderne por edhe qasje mistike e surreale me në qendër mendimin dhe filozofinë për jetën. Ka filma që kanë në qendër forcën njerëzore mbijetesën dhe shpesh absurdin e diktuar prej zhvillimeve pa busull. Festivali do të jetë një maratonë katër ditore jo thjesht e filmit por edhe artit pamor, vizatimit, muzikës, kostumeve dhe jetës lokale.
Mbrëmja e parë e festivalit u mbajt në teatrin antik të Adrianopolit dhe solli një koncert të shkurtër në kitarë dhe një film të shkurtër grek të realizuar gjatë viteve 60.
Festivali do të zhvendoset në zona të ndryshme të Dropullit edhe për të evidentuar potencialin turistik të zonës, monumentet, trashëgiminë dhe hapësirat për aktivitete në natyrë. Juria e festivalit e përbërë nga autoritete të filmit, artit autoritete lokale, shkrimtarë dhe regjisorë do të vlerësojë në mbyllje të eventit me çmime të dy kategoritë e filmave që konkurojnë këtë sezon.
Top Channel