Takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka nisur.

Takimi ka nisur rreth orës 15:00, ndërsa Lajçak pasdite pritet të takojë edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha sot se vizita e në Prishtinë e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak është që të gjendet rruga për qetësimin e situatës në veri.

Në një konferencë për mediat, Stano tha se Lajçak pas Prishtinës do të jetë në Beograd, dhe se kjo vizitë është në kuadër të frymës së diskutimeve të Këshillit Evropian.

“Kjo vizitë specifike është vazhdim i Këshillit Evropian. Këshilli Evropian, siç e dini, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së po diskutonin për tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ata kërkuan për deeskalim të shpejtë, pra kjo është në frymën e diskutimeve të Këshillit Evropian dhe konkluzioneve të Këshillit se Përfaqësuesi i Lartë, Borrell i ka kërkuar Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak që të udhëtojë si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd për t’i çuar çështjet përpara për të gjetur përfundimisht rrugën për të de-përshkallëzuar dhe të mos kemi përshkallëzim, të mos jemi dëshmitarë të vazhdimit të tensioneve, por të qetësojmë dhe në fund të kthehemi te bisedimet për normalizim në kuadër të dialogut”, tha Stano.

 

Top Channel