Kryeministri Albin Kurti ka filluar takimin me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si dhe kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.
Vizitat dhe takimet e vetme që mund të realizojnë përfaqësuesit e Kosovës pas masave ndëshkuese janë ato ku diskutohet për situatën në veri.
E tillë ishte edhe vizita e Kryeministrave të Holandës e Luksemburgut mëngjesin e së hënës.
Kryeministri holandez Mark Rutte shprehu përkrahjen e tij për dialogun Kosovë – Serbi si zgjidhje e të gjitha problemeve.
“Stabiliteti regjional është proces tejet i rëndësishëm dhe sot kemi shprehur brengat tona për ngritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe Holanda dhe Luksemburgu tentojnë drejt dialogut dhe të deeskalojmë situatën dhe të normalizohen raportet mes dy shteteve. “- tha kryeminstri i Holandës.
I gatshëm për ndihmë ndaj palëve në shtensionim të situatës është shprehur edhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.
“Jemi këtu sepse dëshirojmë të dëgjojmë, kur është planifikuar ky udhëtim nuk kemi pritur që këto tensione që janë në rajon, nuk kemi pritur që të jenë. Dhe i thamë edhe Albinit, nuk jemi këtu për të gjykuar, këtu jemi për të dëgjuar dhe të mundohemi të ndërtojmë ura”- tha Xavier Bettel, kryeministri i Luksemburgut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falenderuar homologët e tij për vizitën, duke shtuar se vendet kanë marrëdhënie të mira në të gjitha fushat.
“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane.”- tha Albin Kurti.
Kryeministrat kanë takuar edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin me të cilën diskutuan po ashtu për veriun duke shtyrë përpara kërkesat e Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës.
Ata po qëndrojnë në Kosovë pas vizitës në Serbi, ku po ashtu u diskutua për hapat tutjë për deeskalim të situatës në veri të Kosovës.
Kryeministrat do të takojnë edhe organizatat joqeveritare.
Top Channel