Bashkimi Europian e ka të pamundur të mendojë të ardhmen e tij pa Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor. Kjo i detyrohet pjesërisht përpjekjeve për të reduktuar ndikimin rus në Europën Lindore dhe Qendrore.
Ndërsa vendeve të tjera si Rumania dhe Bullgaria u deshën 11 vjet për t’u bërë anëtarë të BE-së, duke u anëtarësuar në 2007, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, la të kuptohet se e ardhmja e kandidatëve të rinj për anëtarësim do të vendoset me shpejtësi.
“A e imagjinoni dot Bashkimin Europian pa Ukrainën, pa Moldavinë apo pa Ballkanin Perëndimor? Dhe që këto pjesë të Europës të jenë nën ndikimin e Rusisë apo Kinës? E pamundur. Pra, drejtimi i rrugëtimit të tyre është i qartë“- tha Von der Leyen.
Komentet e saj, shefja e Komisionit Europian i bëri në ceremoninë e nisjes së presidencës spanjolle të bllokut, të mbajtur në Madrid. Deklarata e saj, shkruan the Guardian, nënkupton se pjesa tjetër e BE-së duhet të fillojë bisedat që do të rrjedhin nga zgjerimi i pashmangshëm, duke përfshirë buxhetet dhe reformën e politikës bujqësore.
“Tani duhet të fillojmë të mendojmë se si do të sigurohemi që Europa të jetë shtëpi për këto vende; të nisim të diskutojmë se si do të duket procesi i vendimmarrjes. Duhet të flasim për mënyrën sesi do të ndahen fondet e përbashkëta dhe cilat do të jenë politikat që do të ndjekim“- u shpreh Von der Leyen.
Disa raporte të mëparshme kishin lënë të kuptohet se Von der Leyen ka kërkuar anëtarësimin për këto dy vende brenda katër viteve.
Top Channel