Politika uron SHBA në Ditën e Pavarësisë: Mirënjohës që kanë qenë dhe janë mbrojtës i madh i mbijetesës, pavarësisë dhe zhvillimit të shqiptarëve

04/07/2023 10:47

Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 247-vjetorin e pavarësisë.

Në Shqipëri, festa për vendin simbol të lirisë dhe demokracisë zhvillohet në një moment të veçantë, vizita historike e presidentit 42-të i SHBA-së Bill Clinton, i cili u mirëprit këtë të hënë me një ceremoni shtetërore nga kryeministri Edi Rama, si dhe u nderua me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” në shenjë mirënjohje dhe falenderimi për gjithçka ka bërë për kombin tonë.

Kreu i qeverisë në një mesazh urimi gjatë ditës së sotme për pavarësinë e SHBA-së, ka shpërndarë edhe disa foto nga takimi me ish-presidentit amerikan.

Gëzuar 4 korrikun Amerikë. Zoti ju bekoftë!’- shkroi Rama.

Mesazhi i urimit nuk ka munguar as nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, apo politikanë të tjerë shqiptarë, të cilët në fokus kanë pasur mirënjohjen për historinë që na lidh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

‘Gëzuar 4 Korrikun!  Mirënjohës dhe krenarë për historinë që lidh Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara. Si partnerë strategjikë, jemi të vendosur për të ndërtuar një të ardhme në të cilën ruajmë dhe forcojmë së bashku vlerat e demokracisë’– shkroi Begaj.

Për kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, Parimet e Deklaratës së Pavarësisë u bënë filozofia politike e zhvillimit dhe demokratizimit të kombeve të qytetëruara. Nikolla iu është mirënjohëse SHBA-ve që kanë qenë dhe janë një mbrojtës i madh i mbijetesës, pavarësisë, zhvillimit dhe të ardhmes së shqiptarëve.

“Mirëmëngjes Amerikë, në 247-vjetorin e Pavarësisë!

Nuk ka një rast tjetër, kur pavarësia e një vendi të ketë ushtruar në historinë botërore atë ndikim e fuqi ndryshimi të Deklaratës dhe shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pavarësia e SHBA i dha jetë shtetit më të madh demokratik të botës dhe jetërsimit në parimet kushtetuese të të drejtave të patjetërsueshme të individëve: Jetës, Lirisë dhe kërkimit të Lumturisë.

Prej 4 korrikut 1776, Parimet e Deklaratës së Pavarësisë u bënë filozofia politike e zhvillimit dhe demokratizimit të kombeve të qytetëruara.

Ne jemi mirënjohës se ShBA kanë qenë dhe janë një mbrojtës i madh i mbijetesës, pavarësisë, zhvillimit dhe të ardhmes së shqiptarëve”- shkruan Nikolla.

Sakaq, ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zgjedhur të uroj 4 korrikun përmes një thënie filozofike.

“Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se Krijuesi i ka pajisur me disa të drejta të patjetërsueshme, se ndër to janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë…”. Happy 4th of July!”- shkruan Basha.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka dhënë gjithashtu një mesazh urimi për SHBA-në në Ditën e Pavarësisë.

Përmes një retweet-i ndaj një postimi të Ambasadës Amerikane në Tiranë për 4 korrikun, ku thuhej: “Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë. Çdo 4 Korrik, miliona njerëz anë e mbanë SHBA-së festojnë Ditën e Pavarësisë së Amerikës me fishekzjarrë, parada dhe gatime të ndryshme.” – Tabaku shkruan: “Gëzuar 4 korrikun! Përgjithëmon mirënjohës.”

Më 4 korrik 1776, 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Britania e Madhe, duke nënshkruar një dokument që u quajt “Deklarata e Pavarësisë”. Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara ishte produkt i mbledhjes së Kongresit të Dytë Kontinental në Filadelfia, Pensilvani.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel