Njolloset sërish peshëngritja, Godelli: Jam testuar për një garë ku isha i dëmtuar!

04/07/2023 13:01

Dopingu godet sërish peshëngritjen shqiptare. Daniel Godelli ka rezultuar pozitiv në testet e kryera së fundmi.

Vetë sportisti, përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se ka rezultuar përdorues i një substance të ndaluar, që nuk lidhet me sportin që ai ushtron, ndaj Godelli ka kërkuar që t’i nënshtrohet testit B, për të vërtetuar pafajësinë e tij.

“Jam testuar pozitiv në përdorimin e një substance të ndaluar. Substancë e cila nuk ka lidhje me sportin të cilin unë ushtroj, dhe për këtë arsye do kërkoj analizimin e testit B, ku do të faktoj dhe do të paraqes çdo provë që unë zotëroj për të provuar pafajsinë time”.

Godelli shkon akoma dhe më tej, duke sqaruar situatën, ku thotë se analizat e testeve janë në një garë ku ai ishte i dëmtuar ndërkohë që bën thirrje për durim deri në përgjigjen e testit B, raporton Supersport.

“Flitet për një garë ku unë isha i dëmtuar dhe rezultatet e mia ishin thjeshtë për pjesmarrje dhe për të shënuar emrin për pikë olimpike dhe jo për të garuar 100%. Kërkoj nga ju mirëkuptimin dhe bashkarisht të presim për rezultatet që do të dalin nga testimi i analizës B”.

Dopingu është një plagë që e ka dëmtuar sportin shqiptar ndër vite e veçanërisht sportin e peshëngritjes, ku në të shkuarën nuk kanë qenë të pakta ratet kur substancat e ndaluara i kanë sanksionuar sportistët tanë apo dhe i kanë hequr medaljet e marra në eventet ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA