Kapen shqiptarët nëpër botë/ Ekstradohen drejt vendlindjes 4 prej tyre, të akuzuar për vepra të ndryshme

04/07/2023 16:35
Foto Ilustruese

Katër shqiptarë janë ekstraduar nga vende të ndryshme të botës drejt vendlindjes së tyre, shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.

Gjithashtu, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Spanjës, një shtetas në kërkim ndërkombëtar, pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve.

Konkretisht:

-është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, 58-vjeçari Enver Hysa, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi në vitin 2016, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe djalit të tyre;

-është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, shtetasja kosovare Emine Murriqi, të cilën Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale ‘’Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave’’, pasi në vitin 2016, në PKK Port Durrës, ka tentuar të kalojë kufirin, duke përdoruar dokumente të falsifikuara;

-është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, 29-vjeçari Adil Dema, 29 vjeç, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, pasi në vitin 2022, në aksin rrugor Shupenzë – ura e Topojanit, është përfshirë në një konflikt me armë zjarri, me një shtetas tjetër;

-është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, shtetasi Fatbardh Doda alias Dervishi , 33 vjeç, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë në kushtet e tronditjes së fortë psikike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, pasi në vitin 2022, në ambientet e një hoteli, në Durrës, ka plagosur rëndë me armë zjarri, të dashurën e tij.

Gjithashtu, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Spanjës, shtetasi Gjoleke Pazaj. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, Spanjë, pasi Gjykata Qendrore në Madrid, me vendimin e datës 01.02.2023, ka lëshuar urdhër arrestin ndërkombëtar për këtë shtetas, për veprat penale “Pjesëmarrja në grup kriminal me qëllim trafikimin dhe kultivimin e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës. Ky shtetas dyshohet se në vitin 2020, në Spanjë, ka qenë pjesë e një grupi kriminal dhe ka kultivuar një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike, në ambiente të mbyllura, duke vjedhur energjinë elektrike.

“Ekstradimet e këtyre shtetasve janë rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën, Interpol Romën, Interpol Madridin dhe Interpol Wiesbaden”, thuhet në njoftimin e policisë.

4 shtetasit e ekstraduar në Shqipëri iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA