Ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare pedagogu shkodran Prof. Dr. Vehbi Hoti
Vehbi Hoti ishte një Profesor Emeritus, i cili i dha kontribut përreth gjysmë shekulli në shërbim të arsimit të lartë. Ai diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës së Universitetit të Tiranës, në Degën Biologji-Kimi.
Për periudha të shkurtra ka punuar në ish-Institutin e Studimeve e të Botimeve Shkollore të Tiranës, në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe më pas pedagog i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës nga 1966-2013, në lëndët Psikologji-Pedagogji.
Gjatë këtyre viteve është shquar si pedagog, si mësimdhënës, si studiues e si drejtues, duke u afirmuar si një personalitet i nderuar dhe i vlerësuar gjerësisht nga studentët, kolegët dhe opioni i gjerë shoqëror.
Për punën dhe kontributin e dhënë në shoqëri, ai është vlerësuar me tituj si “Mësues i Merituar” dhe “Urdhrin Naim Frashëri të Artë”. Për kontributin e dhënë në strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 1994 familjes së tij iu njoh merita në listën Yad Vashem të “Të Drejtëve mes Kombeve.” Universiteti i Shkodrës e ka vlerësuar Hotin me titullin “Doctor Honoris Causa”, ndërsa Senati i Universitetit të Shkodrës e nderoi me titullin “Professor Emeritus” me rastin e daljes në pension më 2013.
Përveç detyrës së pedagogut, ai ka qenë i ngarkuar me detyra e funksione të ndryshme. Për më shumë se 15 vjetësh ka qenë sekretar i Këshillit Shkencor të ILSHP dhe i Redaksisë së Buletinit Shkencor”. Që nga viti 2002 e më vonë ka qenë kryeredaktor i serisë së Shkencave të Edukimit, organ i Universitetit të Shkodrës. Në vitet 1989-1993 ka qenë përgjegjës i katedrës së Psikologji-Pedogjisë. Për 13 vjet, 1991-2003 dekan i parë i Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës.
Hoti ishte professor i dalluar për një punë serioze studimore shkencore. Ai ka pasur një aktivitet të pasur botues e kumtues. Ishte autor dhe bashkëautor i shtatë botimeve monografike, 4 teksteve mësimore për shkollën e lartë dhe dy për shkollën e mesme. Ka botuar rreth 60 punime në shtypin shkencor dhe ka referuar në 50 sesione e konferenca shkencore. Ka marrë pjesë në disa projekte dhe ka bashkëpunuar si ligjërues me disa universitete edhe jashtë vendit, si Mal të Zi e Maqedoni. Rrjedhim i kësaj pune janë gradat dhe titujt që ka fituar, nga Doktor i Shkencave deri te Prof. Dr.
Vehbi Hoti lindi në Shkodër më 6 Prill 1942. Me ndarjen e tij nga jeta, familjarët njoftojnë se varrimi bëhet ditën e nesërme ora 11.00 në varrezat e Sharrës në Tiranë.
Top Channel