Disa qindra fotografi të stampuara që prej mesit të shekullit të XIX e deri në mesin e shekullit të XX u ekspozuan në Gjirokastër përgjatë ditëve të Festivalit Folklorik.
Personazhet që janë qytetarë të zakonshëm deri në personalitete të kohës i bashkon fakti se janë të veshur me kostume kombëtare.
Me dhjetëra fotografi janë shkrepur spontanisht nga fotografë të kohës në punë, në pazar, në mjedise publike dhe në shumë raste fotografitë përcjellin momente ceremoniale ku e gjithë familja ka pozuar para aparatit për tu ruajtur kujtime nga dasmat e gëzimet, fotografi ku të gjithë mbajnë veshur veshjet e traditës.
Ekspozita që çelet për herë të parë në Gjirokastër vjen si kontribut i fondit të Arkivit Qëndror me qëllim evidentimin e veshjes traditcionale, larminë e saj dhe ekspozimin e saj kronologjik.
Shumë fotografi paraqesin luftëtarë dhe momente të rralla të çetave anti otomane. Të tjera dëshmojnë kulturën e pasur materiale, veglat e punës, aktivitetet e përditshme.
Shumë fotografi janë edhe dëshmi historike të proceseve të evolucionit në veshje. Arkivi Qëndror ka përzgjedhur mes 200 mijë fotografive të fondit për të sjellë një ekspozitë të veshjes kombëtare shqiptare përgjatë një shekulli kur ajo u dëshmua me fotografi.
Ekspozita tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të shumtë dhe do të qëndrojë e hapur në natyrë edhe disa ditë pas festivalit.
Top Channel