Agresiviteti i krimit ka arritur në nivele të frikshme aq sa nuk po kursen as fëmijët. Pak minuta pas mesnate në fshatin Larushk të Krujës, u krye një atentat me armë ku mbetën të plagosur 2 fëmijë 13 dhe 10 vjeç si dhe humbi jetën një 29-vjeçar.
Shënjestër e këtij sulmi dyshohet se ishte Gentjan Bejtja i cili ka një të shkuar të pasur kriminale por në ato momente ai nuk ishte në shtëpi dhe pasojat ranë mbi kunatin dhe dy fëmijët e tij.
29 vjeçari Ramazan Sino me profesion shofer në Prokurorinë e Apelit në kryeqytet me makinë po shoqëronte fëmijët e motrës drejt shtëpisë së tyre. Sapo mbërritën në verandën e shtëpisë ata u përballën me agresivitetin e rreth 30 plumbave të qitura nga dy armë të ndryshme kallashnikovi. Si pasojë e të shtënave 29 vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje ndërsa nipi, 13 vjeçari Alvi Bejtja dhe fëmija tjetër 10 vjeç përfunduan në spital të plagosur.
Atentatorët dyshohet se ishin 3 persona të cilët u afruan deri pranë banesës pa rënë në sy të askujt pasi dhe kamerat e rrugës ishin hequr nga policia dhe e vetmja kamerë që punonte ishte ajo në oborrin e banesës. Dy qëlluan, ndërsa i treti po ashtu i armatosur qëndroi në makinë dhe i largoi menjëherë pas sulmit. Rreth 20 minuta më vonë policia gjeti në Tapizë nën flakë makinën e vjedhur që u përdor nga atentatorët si dhe tre kallashnikovë në brendësi të saj.
Autorët dhe motivet e këtij sulmi polici poi kërkon në të shkuarën kriminale të Gentjan Bejtes i cili rezulton i implikuar në disa ngjarje si dhe i ka shpëtuar 2 atentateve të mëparshme.
Në shtator të vitit 2016 në mjetin e tij Tuareg shpërtheu një lëndë eksplozive që vetëm e plagosi ndërsa në janar të vitit të kaluar ai u tentua të eleminohej me armë zjarri teksa ishte në makinë me Klodian Stafukën por mbeti i plagosur vetëm në dorë.
Emri i Gentjan Bejtës rezulton në regjistrat e policisë i implikuar në disa ngjarje kriminale nga shkatërrimi i pronës deri te krimet ndaj personit. Ngjarja me e rëndë për të cilën ai u vu në pranga ishte për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt pasi u akuzua se kishte siguruar makinën e përdorur në vrasje. Ai është pyetur dhe si person që ka dijeni edhe për ngjarje të tjera si vrasja e Ilvi Canit në autostradë, atentati ndaj Mariglen Hakës si dhe vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë Krujës korrikun e vitit te shkuar.
Për zbardhjen e sulmit në shtëpinë e tij policia ka ushtruar kontroll në banesat e personave me precedent në zonë por deri më tani nuk janë gjetur të dhëna të vlefshme.
Top Channel