“Mirë se erdhe zoti President!”/ Tirana vishet me flamujt e SHBA-ve për vizitën e Clinton! Nesër koncert me yjet e muzikës

03/07/2023 14:12

Tirana ndizet nga ngjyrat kuqezi dhe flamujtë amerikanë në pritje të vizitës historike të Presidentit të 42-të të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton.

Ish-Presidenti amerikan mbërrin në orët e pasdites. Sipas agjendës, në orën 19.00, Clinton do të pritet nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

Nga pamjet e siguruara nga LSA shihet se si rrugët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku do të kalojē eskorta shoqëruese e Clinton-it janë zbukuruara me flamujtë amerikanë dhe shqiptarë, sakaq një banderolë e madhe me foton e Clinton dhe mbishkrimin “Mirëseredhe zoti President!” është varur mbi fasadën e Politeknikut.

Bashkia e Tiranës gjithashtu do të organizojë edhe një koncert për nder të festës së pavarësisë së SHBA, të titulluar “American Night”. Koncerti do të mbahet në orën 20:00 tek Amfiteatri në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.

Qytetarët do të mund të shijojnë këngët nga repertori amerikan, me super hite, me instrumentistët e Bandës së Qytetit, si dhe disa prej artistëve më të mirë, si: këngëtarja Eneda Tarifa, sopranoja Ardita Meni, si dhe tenorët Gerald Murrja dhe Erlind Zeraliu. Pjesë e këtij koncerti do të jetë edhe Moza Bekteshi Dance Academy.

Ish-presidenti Clinton njihet si President nderi për shqiptarët për shkak të ndikimit pozitiv që ka patur për Shqipërinë e Kosovën. SHBA nën udhëheqjen e Bill Clinton ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-së në Luftën e Kosovës në vitin 1999, çka detyroi presidentin e atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër UÇK-së.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA