Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas konfirmimit nga Bashkimi Evropian për hyrjen në fuqi të sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës.

Sipas tij, sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme është gjendja.

Ai ka theksuar se mocioni për rrëzimin e kryeministrit Kurti është interes kombëtar.

“Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie. Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi. Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Bashkimi Evropian ka njoftuar të shtunën se kanë hyrë në fuqi masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Sipas BE-së, është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe program i fondeve IPA.

Top Channel