Stërvitësi i njohur në rrjet ‘Joesthetics’ ka vdekur papritur në moshën 30 vjeçare.
I ndjeri ishte ankuar më herët nga një dhimbje e mistershme në qafë që më pas zbulua se ishte një aneurizëm nga bllokimi i arterieve të gjakut.
Nuk ka shpjegime të tjera zyrtare për shkaqet e vdekjes së tij.
Modeli gjerman i njohur për videot e tij në Youtube, emri i vërtetë i të cilit ishte Jo Lindner – u bë i famshëm me këshillat e stërvitjes për ndjekësit e tij, rrëfimet e jetës personale, dietën dhe stilin e jetesës.
E dashura e tij njoftonte sot në rrjetin Instagram se për fat të keq 30-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Duke shpërndarë imazhe dhe video të çiftit, Nicha e dashura e Jo, gjithashtu instruktore stërvitjeje dhe influencuese në rrjet, tha për ndjekësit se ai ishte tashmë “në një vend më të mirë”.
Ajo shkruante: “Ai dje ndërroi jetë nga aneurisma ..unë isha me të në dhomë .. ai më vari në qafë një varëse që kishte bërë për mua, dhe më pas ishte në krahët e mia kur gjithçka ndodhi shumë shpejt.”
“Tre ditë më parë ai më thoshte se kishte një dhimbje në qafë … ne nuk kuptuam asgjë, … derisa ishte tepër vonë.”
Nicha thoshte se nuk mund të shkruante më tepër për fansat që i kërkonin shpjegime për vdekjen e papritur, por thoshte vetëm se Jo ishte ‘shumë më tepër’ nga sa e njihnin ata.
“Ai ishte i dashur, i ndershëm dhe besonte te të gjithë.”
Homazhe të shumta bëheshin në rrjet nga fansat e stërvitësit. Kolegu tij ‘bodybuilder’ Noel Deyzel tha: “U prehshnë paqe Jo. Do të na marrë malli.”
Një përdorues në rrjet shkruante: “RIP joesthetics, kjo është e pabesueshme. Të ndiqja në postimet e tua, një djalë i shkëlqyer, i larguar tepër herët. Një moment je gjallë, në tjetrin nuk je më”.
Top Channel