Rishikimi i të gjithë kuadrit ligjor në përshtatje me dinamikat e zhvillimit që ka sot tregu mediatik, ishin në fokus të Asamblesë së 19-të të Grupit të Rregullatorëve Evropiane për Shërbimet Mediatike Audiovizive.
Aspekte që lidhen me platformat dhe mediat sociale, të cilat mund të garantojnë në radhë të parë një mjedis më të mbrojtur për të fëmijët, që ata të mos ekspozohen me pornografinë, dhunën, gjuhën e urrejtjes etj, ishin në fokus të diskutimeve të drejtuesve evropiane të ERGA-s.
Sipas tyre algoritmet dhe pajisjet elektronike nuk kanë dhe nuk duhet ta kenë të drejtën e lirisë së shprehjes, si një e drejtë njerëzore.
“E rëndësishme mbetet që me ndikimet e rrjeteve sociale në vëmendje të jetë mbrojtja e shëndetit mendor dhe fizik të fëmijëve”, u tha gjatë punimeve të Asamblesë.
Shqipëria u përfaqësua nga kryetarja e AMA-s Armela Krasniqi e cila u shpreh se: “AMA, si rregullator ka të gjithë vullnetin dhe kapacitetin për të përdorur të njëjtët instrumente që aplikojnë rregullatorët e 27 vendeve anëtare të BE-së”. Ajo adresoi një iniciativë, siç e përshkroi, “për forcimin e lidhjeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes rregullatorëve, në një kohë kur fenomenet me të cilat përballemi nuk i njohin kufijtë zyrtarë të Unionit”.
Punimet e Asamblesë së 19-të Plenare të ERGA-s u mbajtën këtë javë në Napoli të Italisë.
Top Channel