Infermierja shtatzënë vdes nga hemoragjia teksa priti katër orë ambulancën në jug të Londrës (fotot)

01/07/2023 16:46

Një infermiere 28 vjeçare ka humbur jetën në shtëpinë e saj pasi priti më shumë se katër orë për ambulancën që kishte thirrur, pas disa vonesave që ishin bërë nga operatorët telefonikë dhe stafi ambulances, u tha sot në hetimin e çështjes në Berkshire në jug të Londrës.

Stabile Sibanda, kishte kërkuar ndihmën e ambulancë mesnatën e 23 korrikut të vitit të shkuar duke përshkruar me operatorët se kishte dhimbje të forta barku dhe si infermiere që ishte, komentonte se mund të kishte një “shtatzani ektopike”, siç njihet rastet e shtatzanisë problematike kur veza e fertilizuar mbetet jashtë mitrës.

Çështja po hetohet në kuadër të mangësive të shumta në personal dhe shërbime të raportuara se fundmi ndaj shërbimit shëndetësor publik në Britani.

Përfaqësuesi i shërbimeve të ambulancës thanë se natën e tragjedisë kishte shumë telefonata dhe stafi i ishte i reduktuar prej “problemeve shëndetësore publike post-Covid”, kështu që ata telefonuan një ambulancë private për të ndjerën, ku nuk kishte para-mjekë të trajnuar plotësisht.

Dy anëtarët e stafit të ambulancës private për llogari të shërbimit publik shëndetësor britanik, Kara Mathieson e Lee Brown, kishin mbërritur në adresën e zonjushës Sibanda rreth orës 3.11 të natës, por për 27 minuta ata nuk arrinin dot të gjenin apartamentin e saj.

Dy para-mjekët thanë se Sibanda u konfrontua ashpër verbalisht me ta për vonesën dhe nuk pranonte që ta fusnin në ambulancë.

Ata kishin përjashtuar mundësinë e ‘shtatzanisë ektopike’ dhe mjeku ligjor tha se besonte se Sibanda “kishte konsumuar droga dhe se ishte sulmuar seksualisht”.

Ambulanca private kishte telefonuar mepas për asistencë te policia rreth orës 4.36 për të futur në ambulancë zonjushën Sibanda, por kjo e fundit kishte nisur hemoragji të rëndë dhe u shpall e vdekur në orën 5.33 të mëngjesit.

Stafi i ambulancës tha në gjykatë se nuk e kishin idenë çfarë ishte “shtatzënia ektopike” dhe ndryshuan disa herë versionin e tyre për atë që u kishte deklaruar e ndjera.

Mjekja ligjore e Berkshire, Heidi Connor tha se ishte e shqetësuar me deklarimet e dy teknikëve të ambulancës: “Ka ndryshime të qarta në deklaratat e tyre. Sikur të kishin ditur për shtatzaninë ektopike ata do të fokusoheshin për ta çuar në spital. Nuk jam e bindur nga deklarata e qëndrimit difensiv që mbante e ndjera ndaj tyre.”

Ajo shtonte se në kushtet e saj, Sibanda kishte pasur nevojë për ndërhyrje urgjente kirurgjike.

Mjekja ligjore tha se gjithsesi nuk është e mundur përcaktimi nëse vonesat dhe mungesa e trajnimit ishin shkaku i vdekjes së të ndjerës, prandaj rrjedhimisht përcaktoi se ka vdekur nga “shkaqe natyrale”.

Zonusha Sibanda kishte ardhur në Britani nga Zimbabve disa javë para vdekjes së saj, me kontratë për të punuar si infermiere.

Hetimet vijojnë.

FOTO GALERI
2/3
Përfaqësuesi i shërbimeve të ambulancës thanë se natën e tragjedisë kishte shumë telefonata dhe stafi i ishte i reduktuar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA