Bien në ujë nga kroçera/ Humbin jetën i mituri dhe e ëma që u hodh në ujë për ta shpëtuar (fotot)

01/07/2023 16:11

Një djalë shtatë-vjeçar dhe nëna e tij kanë humbur jetën tragjikisht teksa lundronin me një kroçerë pasagjerësh nga Polonia drejt Suedisë, pasi sipas raportimeve fëmija kishte rënë në ujë nga rreth 25 metra, dhe e ëma u hodh për ta shpëtuar.

Autoritetet detare suedeze thanë për ngjarjen e rëndë në detin Balltik se fëmija kishte rënë në mënyrë misterioze në oqean para se nëna e tij të hidhej duke tentuar ta shpëtonte.

Pas rënies së dy pasagjerëve, ekuipazhi i kroçerës Stena Spirit dha sinjalin e alarmit dhe u kthye prapa në vendin ku pasagjerët fatkeqë kishin rënë.

Stena Spirit po lundronte nga porti polak i Gdynia drejt Karlskrona në Suedi, para se nënë e bir të konfirmoheshin tragjikisht të vdekur.

Në vendngjarje ishin dërguar dhe helikopterë nga njësi të afërta ushtarake të NATO-s dhe nga ushtria e Suedisë.

Pas rekuperimit të viktimave, nëna 36-vjeçare dhe i biri ishin dërguar në spitalin e Karlskrona ku u shpallën të vdekur pak më vonë.

Të dy besohet se ishin qytetarë polakë, tha zëdhënësi i policisë Mariusz Ciarka duke shtuar se ishte e pamundur të shpëtohej jeta e tyre.

“Për fat të keq në mëngjes morëm informacionin e tmerrshëm që duhet t’i kalonim familjeve të viktimave, si djali i vogël dhe gruaja që kishin rënë në ujë humbën jetën”.

Zëdhënësja e linjave Stena Line, Agnieszka Zembrzycka tha për rrjetin TVN 24: “Për momentin nuk kemi ende informacione sesi kjo mund të ndodhte, apo nëse kishte një keqfunksionim në traget. Po bashkëpunojmë me policinë për të shpjeguar shkaqet dhe rrethanat e incidentit.”

Anders Olsson, anëtar i grupit të helikopterit që transportuan në spital trupat, tha për mediat suedeze se gruaja ishte pa ndjenja edhe pse iu dha ndihma e parë.

Policia suedeze ka bërë thirrje për informacion mes pasagjerëve te kroceres për të shpjeguar se si ndodhi aksidenti fatal.

FOTO GALERI
4/5
Të dy besohet se ishin qytetarë polakë, tha zëdhënësi i policisë Mariusz Ciarka duke shtuar se ishte e pamundur të shpëtohej jeta e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA