Asambleja e rregullatorëve të medias/ Diskutohet mbrojtja nga pornografia, dhuna gjuha e urrejtjes

01/07/2023 19:54

Në Napoli të Italisë u mblodh Asambleja e 19-të Plenare e Grupit të Rregullatorëve Europianë për Shërbimet Mediatike Audiovizive.

Drejtues të nivelit të lartë të organeve kombëtare rregullatore të pavarura në fushën e shërbimeve audiovizive kishin në fokus rikonsiderimin e të gjithë kuadrit ligjor në përshtatje me dinamikat e zhvillimit të tregut mediatik.

E pranishme në këtë asamble, Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, u shpreh mes të tjerave se: “AMA, si rregullator ka të gjithë vullnetin dhe kapacitetin për të përdorur të njëjtët instrumente që aplikojnë rregullatorët e 27 vendeve anëtare të BE-së”.

Ajo adresoi një iniciativë, siç e përshkroi, “për forcimin e lidhjeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes rregullatorëve, në një kohë kur fenomenet me të cilat përballemi nuk i njohin kufijtë zyrtarë të Unionit”.

Diskutantët e tjerë prekën aspekte që lidhen me platformat dhe mediat sociale, që të garantojnë në radhë të parë një mjedis më të mbrojtur për fëmijët, që ata të mos ekspozohen me pornografinë, dhunën, gjuhën e urrejtjes etj. Në vëmendje mbetet mosdëmtimi i shëndetit të tyre fizik e mendor.

Vëmendje mori edhe procesi i rregullimit sa i takon influencuesve dhe vloggers, si një trend i ri i tregut, që duhet vendosur në hullitë ligjore.

Punimet e Asamblesë i drejtoi nga Presidenti i Grupit të Rregullatorëve Europianë për Shërbimet Mediatike Audiovizive, Giacommo Lasorrella, që është President i Rregullatorit italian AGCOM. Shqipëria dhe disa vende të Ballkanit kanë statusin e vëzhguesit në këtë strukturë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA