Kylian Mbappe mund të ishte tashmë një futbollist i Real Madrid dhe telenovela, një nga më të gjatat e këtyre viteve të fundit në merkato, do të kishte përfunduar nëse sulmuesi do të përfaqësohej nga një agjent i denjë dhe jo nga mamaja e tij.
Është ky mendimi i agjentit të Ferland Mendy, Yvan Le Mée i cili shprehet se Fayza Lamari, mamaja dhe njëkohësisht agjentja e Mbappe nuk është e aftë të negociojë dhe t’i mbyllë me sukses ato.
“Mamaja e Mbappe nuk bën punën që duhet të bëjë një agjente futbollistësh, është thjesht e paaftë për ta bërë diçka të tillë. Është shumë e rëndësishme të kuptosh nëse je i aftë në profesionin që ushtron. Unë mund të dua që të hap një restorant, por nëse nuk di të gatuaj, atëherë më mirë nuk e marr përsipër një iniciativë të tillë.
Është komplet diçka tjetër që merresh me djalin tënd si fëmija yt dhe komplet tjetër të kujdesesh për interesin si lojtar. Agjentët janë njerëz që mbyllin marrëveshje. Jam i sigurt se nëse Mbappe do të kishte një agjent tjetër dhe do të ishte negociata me Real Madridin, atëherë ai do të ishte bërë pjesë e madrilenëve që para dy vitesh.
Nëse nuk flet në mënyrën e duhur, nëse nuk bën veprimet e duhura apo me dikë që e njeh prej shumë vitesh, atëherë nuk mund të jesh një agjent i suksesshëm. Të gjithë e shikojnë, Mbappe është ende në Paris pas të gjithë negociatave të viteve të fundit dhe mbi të gjitha ai është i mërzitur”, u shpreh Yvan Le Mée, agjenti i Ferland Mendy. /Supersport
Top Channel