Kandidatët republikanë në debat televiziv, pse Donald Trump refuzon të marrë pjesë?

30/06/2023 18:19

Ish-presidenti Donald Trump tha se ai mund të mos marrë pjesë në debatin e parë të Partisë Republikane për zgjedhjet paraprake presidenciale që mbahet më 23 gusht, duke përmendur epërsinë e tij në sondazhe dhe atë që ai e quajti njëanshmëria kundër tij, të kanalit televiziv që organizon debatin. Ai tha se gjatë asaj periudhe mund të zhvillojë një aktivitet alternativ.

Në një intervistë telefonike me agjencinë ‘Reuters’, zoti Trump tha “ndoshta jo”, kur u pyet nëse do të merrte pjesë në debatin që do të organizohet nga kanali ‘Fox News’ në Miluauki, më 23 gusht.

Debati do të jetë shansi i parë për votuesit që të shohin kandidatët republikanë për president të përballen me njëri-tjetrin.

Zoti Trump e quajti kanalin ‘Fox News’, të cilin e ka kritikuar për mosmbulimin e aktiviteteve të fushatës së tij, një “rrjet armiqësor” dhe tha se shihte pak merita në debatimin e kandidatëve si me ish-guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie, të cilët janë shumë prapa tij në sondazhe.

“Pse do t’u jepja atyre kohë për të bërë deklarata? Pse do ta bëja këtë kur udhëheq me 50 dhe 60 pikë në sondazhe”, tha zoti Trump.

Sondazhet kombëtare kanë treguar vazhdimisht se ai është kandidati kryesor në garën paraprake republikane me një diferencë të madhe.

Një sondazh i agjencive Reuters/Ipsos në fillim të këtij muaji tregoi se rreth 43% e republikanëve të vetëidentifikuar si të tillë, thanë se Donald Trumpi ishte kandidati i tyre i preferuar, krahasuar me 22% që zgjodhën guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis. Chris Christie kishte 2% mbështetje.

Zoti Trump është përballuar me kritika për shkak të sugjerimeve të bëra edhe më parë, se ai mund ta anashkalojë debatin.

Chris Christie, një ish-aleat i Donald Trumpit, i cili tashmë është një nga kritikët e tij më të ashpër, e ka akuzuar ish-presidentin se ka frikë të bashkohet në debate nga shqetësimi se mos humbet epërsinë e tij në garë.

Donald Trumpi tha se ai kishte oferta për të mbajtur një ngjarje tjetër gjatë debatit ose më vonë atë mbrëmje.

“Ne kemi pasur shumë oferta, qoftë për një tubim apo për një intervistë nga dikush tjetër”, tha ai. “Nuk dua të mburrem, por debati nuk do të jetë shumë emocionues nëse nuk do të jem unë atje.”/ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA