Është hedhur ditën e sotme në selinë qendrore të UEFA-s, në Nyon të Zvicrës, shorti i raundit të parë të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll për vajza. Kompeticion ku merr pjesë edhe Vllaznia, ekipi kampion i Shqipërisë prej 10 vitesh radhazi.
Shkodranet njohën grupin dhe emrat e kundërshtareve me të cilat do të përballen në këtë tur të parë. Aty ku synojnë sërish kualifikimin historik në fazën e grupeve të “UEFA Women’s Champions League”.
Vllaznia do të jetë pjesë e grupit 7, që është me katër skuadra. Ndeshjet e kësaj faze do të luhen në formën e një mini-turneu dhe shkodranet do të përballen në gjysmëfinale me ekipin kampion të Kosovës, Hajvalinë.
Sakaq, ndeshja tjetër e grupit ka rezervuar përballjen mes kampioneve të Islandës dhe Turqisë: Valur-Ankara Buyuksehir Belediyesi Fomget SK. Dy fitueset e dala nga këto dy takime gjysmëfinale do të përballen më tej në finale me njëra-tjetrën.
Dhe vetëm një prej tyre do të avancojë për në raundin e dytë. Vllaznia ishte pjesë e vazos së skuadrave favorite, duke u renditur në vendin e shtatë, me koeficientin 16.800. Dhe duke lënë pas skuadra me emër në Europë, si kampionet hungareze të Ferencvarosh. Belget e Anderlecht apo ukrainaset e Vorskla.
Në raundin e parë të këtij kompeticioni marrin pjesë 41 skuadra, të ndara në 11 grupe. Ku 8 prej tyre janë me nga katër skuadra, ndërsa 3 prej tyre me tre ekipe. Gjysmëfinalet e grupeve janë programuar të luhen më 6 shtator, ndërsa finalet, nga ku do të dalin edhe fitueset që kualifikohen për në raundin e dytë, do të zhvillohen më 9 shtator.
Vajzat kuqeblu synojnë edhe njëherë kualifikimin historik në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, ashtu sikurse edicionin e kaluar, kur shkruan edhe historinë e futbollit shqiptar. /Supersport
Top Channel