Jo vetëm Tonalin, anglezët “zbrasin” arkën edhe për një sulmues

29/06/2023 16:39

Rikthimi në Champions League sjell dhe investime të mëdha në klubin e Newcastle.

Drejtuesit e “The Magpies” po përgatiten për një tjetër sezon madhështor dhe mbi të gjitha me më shumë përgjegjësi. Ndaj, puna në merkato ka nisur herët për Newcastle dhe pas 70 milionë eurove të investuara për të transferuar Sandro Tonalin nga Milani, anglezët po përgatisin goditjen e radhës.

Fjala është për sulmuesin Goncalo Ramos që aktivizohet në Portugali me Benficën. 22-vjeçari është nën kontratë me Benficën deri në vitin 2026 ndërsa klauzola e lirimit kap shifrën e 122 milionë eurove. Megjithatë, te Newcastle po punojnë për të gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Benficës dhe deri më tani janë të gatshëm të ofrojnë deri në 50 milionë euro.

Nga ana e tyre, drejtuesit portugezë synojnë të paktën 80 milionë, megjithatë në ditët e ardhshme negociatat mund të ndryshojnë sërish shifrat e transferimit. Kujtojmë se Benfica është një nga klubet që prodhon gjithnjë elementë cilësorë për kampionatet elitare të Europës dhe pas Enzo Fernandez që u shit në janar te Chelsea për shifrën e 120 milionë eurove, pritet që tashmë të “mbushë” sërish arkat falë Goncalo Ramos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA