Yuri Kim, ylli i madh i mirënjohjes! Nderimi për ambasadoren në mbyllje të mandatit në Shqipëri

28/06/2023 13:11

Në përfundim të mandatit si ambasadore e SHBA, Yuri Kim është nderuar nga kryeministri Edi Rama me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike shoqëruar me një shkrim të gjatë, analizues të  misionit të saj gjatë 3 vite e gjysmë në vendin tonë.

Kryeministri evidenton se Yuri Kim ndryshe nga paraardhësit e saj  nuk ndenji një ditë pa u shfaqur, sa ekran më ekran, e vrenjtur edhe kur buzëqeshte.

“Nga frëngjia e Twitterit, sa në rrugët e jetës politike në Tiranë, ku me dylbi e me pushkë në stërvitjet ushtarake, ku me shpatë në brez në mbledhjet e organeve të drejtësisë.

Ku me lot në sy për viktimat e Armikut të Padukshëm, ku me helm në gjuhë për armiqtë e Reformës në Drejtësi, e ku me llokume e raki për komisionin multipartizan të reformës zgjedhore.

Herë si kalorëse e të gjithëpushtetshmit, herë si hije e pushtetit dhe herë si bebisiter e kundërshtarëve të pushtetit, edhe falenderuese për miqësinë mes popujve, edhe inkurajuese për arritjet e popullit.

Kërcënuese për të zgjedhurit nga populli, nganjëherë e bezdisur prej akuzave se po mbështet qeverinë.

Ndonjëherë e nervozuar prej pretendimeve se po mbështet opozitën, shpeshherë e gëzuar për pakënaqësinë e të gjitha palëve”.

Kryeministri shpalos këtë pik-pamje se çfarë lë pas Yuri Kimi drejt detyrës së re në DASH.

“Yuri Kim u largua duke lënë pas në pamje të parë, miq e armiq, që e deshën apo e urryen, ndërkohë që më pranë të vërtetës është fakti se askush s’e deshi dot pa e urryer asnjëherë dhe asnjë se urreu dot pa e dashur qoftë edhe njëherë.

Në radhën e tërë atyre që deri më sot janë ulur në zyrën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, ajo ishte më amerikania mes shqiptarëve dhe më shqiptarja mes amerikanëve. Kush më shumë e kush më pak, ambasadorët e superfuqisë në vendin tonë kanë rënë në kurthin e ëmbëlsisë admiruese të Shqipërisë, ku Amerika shihet si Arusha e Madhe në qiell dhe një ambasador amerikan trajtohet kudo ku shkon, si mik i rënë nga qielli.

E për rrjedhojë fatale bie brenda dhe ndjehet si një Zot në tokë, i cili duhet të jetojë e të veprojë në emër të popullit shqiptar.

Të bëhet jo vetëm zëdhënësi i halleve të tij, po edhe luftëtari që për llogari të tij përleshet me padrejtësitë, fshikullon të pushtetshmit, godet të paudhët, poshtëron të pandreqshmit, një lloj gjykatësi suprem, i cili merr frymë me detyrimin moral karshi njerëzve të thjeshtë që të kontestojë deri edhe vetë vendimet e gjykatave”.

Edi Rama pranon se komentin e tij nuk mund ta shkruante brenda kornizave diplomatike.

“Prandaj njësoj si këta rreshta mbase diplomatikisht skandalozë – po ja që e vërteta s’është gjithnjë dot diplomatike kur duhet thënë patjetër – mirënjohja e falenderimi për ambasadoren Yuri Kim, janë të ndjerë sinqerisht e të menduar krejt lirisht, teksa avioni nga Brukseli po ulet në Tiranë, ku një tjetër ambasador amerikan pritet të bjerë së shpejti në kurthin e ëmbël të Shqipërisë”.

Kryeministri e mbyll komentin për Yuri Kim me fjalët: “Faleminderit për gjithçka e dashur Yuri. Bekime për ty dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Top Channel