Gert Mehmetaj, Marjo Hazizaj dhe Artur Skënderaj janë tre të rinj nga Cakrani i Fierit që merren me rritjen e bletëve. 

Ata e kanë nisur këtë profesion në kohë të ndryshme, ndërsa më i vogli mes tyre, 23-vjeçari Marjo Hazizaj tregon se gjithçka nisi pasi u kthye nga emigracioni. Fillimisht ai e nisi me pesë koshere me bletë e më pas i shtoi ato.

“Nuk përshtateshim dot me emigracionin e na dukej e vështirë. Erdhëm këtu, na pëlqen puna me bletët jemi stabilizuar dhe më pëlqen që të punoj me bletë. Kemi 200-300 koshere.”- tha Marjo Hazizaj – bletërritës.

Në ndryshim nga Marjo, Arturi është i ri në këtë profesion. Ai sapo ka nisur të punojë me bletët dhe pretendon që në vitet në vijim të shtojë numrin e koshereve.

“Dëshira ka qenë e hershme por edhe unë tani kam filluar se kam qenë në emigracion. Vendosa të rri në vendin tim. Përkrahja është gjëja kryesore me investime apo ilaçet e ndryshme që na duhen”- tha Artur Skënderaj – bletërritës.

Fitimet më të mëdha për ta janë jo vetëm nga mjalti por dhe shitja e qumështit të bletës. Produkt ky shumë i kërkuar në treg.

“Po merremi me shartimin e qumështit të bletës. Ky proces fillon nga fundi i prillit deri në fillim të korrikut dhe kjo periudhë është shumë e favorshme”– tha Gert Mehmetaj – bletërritës.

Për këta djem që jetën e tyre ia kanë kushtuar rritjes së bletëve, ndihmat me subvencione nga ana e shtetit duhet të jenë më të mëdha. Ata i bëjnë apel autoriteteve që t’i informojnë për çdo dezinfektim që bëhet në zonë me qëllim që të mos dëmtohen bletët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA