Zelensky shprehet optimist për përparimin e kundërofensivës ukrainase

27/06/2023 10:21

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është shprehur optimist për përparimin e ushtrisë së tij në kundërofensivë, duke e quajtur 26 qershorin si “ditë të mirë”.

“Ushtarët tanë, pozicionet tona ku kemi avancuar, janë aktive në të gjitha drejtimet në front të luftës”, ka thënë ai. “Sot, ushtarët tanë kanë avancuar në të gjitha drejtimet, është ditë e mirë. U dëshiroj djemve më shumë ditë si kjo”.

Të hënën, Zelensky i ka vizituar ushtarët që janë duke luftuar në pjesën lindore të shtetit, dhe u ka ndarë atyre medalje.

Vendi i saktë i vizitës nuk dihet, mirëpo zyra e Zelenskyt ka thënë se i ka takuar disa njësite në rajonin Donjeck.

Zelensky ka thënë përmes një video-adresimi se është takuar me komandantë ushtarakë dhe ka maarrë “shumë vendime operacionale” bazuar në diskutime.

Ai ka thënë se një vendim ka të bëjë me forcim të marinës dhe gjithë forcave të mbrojtjes.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka thënë në përditësimin e fundit më 27 qershor, se në 24 orët e fundit është raportuar për 38 përleshje në Liman, Bahmut dhe Marianka – të gjitha në pjesën perëndimore të rajonit Donjeck.

Ushtria ukrainase është raportuar të ketë kryer sulme ajrore edhe kundër pozicioneve ruse në rajonet Zaporizhja dhe Herson.

E përditshmja amerikane New York Times ka raportuar më 26 qershor se zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se faza fillestare e kundërofensivës ukrainase është shumë e ngadalshme.

Zelensky i ka thënë gazetës së kundërofensiva nuk është “film Hollivudi” dhe se “ne do të avancojmë në fushëbetejë, sipas mënyrës që e konsiderojmë më të mirën”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA