Në të dytën ditë të vizitës në Bruksel kryeministri Edi Rama takoi presidenten e Komisionin Europian Ursula Von Der Leyen e cila përmes një mesazhi në Twitter thotë se ishte një takim shumë i mirë.

“Ne folëm për progresin e Shqipërisë drejt zgjerimit në BE dhe për planin e ri të rritjes me Ballkanin perëndimor. Kjo do ta sjellë rajonin më afër me BE-n duke rritur mirëqenien me partnerët tanë,” thotë presidentja e Komisionit Europian.

Takimi me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell është fokusuar në situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe nevojën për një zgjidhje të shpejtë.

“Folëm për procesin e dialogut Prishtinë Beograd. Unë të falënderoj ty zoti Kryeministër për përpjekjet dhe angazhimin tuaj në gjetjen e një zgjidhje dhe e kam bërë të qartë qëndrimin se palët duhet të gjejnë një mënyrë për të evituar përshkallëzimin e situatës dhe të miratojnë udhërrëfyesin që është vënë në tavolinë. Kjo situatë kërkon të marrim masa në mënyrë të shpejtë e urgjente dhe vendet anëtare janë dakord me këtë urgjencë. E kanë humbur durimin përpara kësaj situate që po përkeqësohet gjithmonë e më tepër e kërkon ndërhyrje të menjëhershme”, tha Borrell.

“Patëm një bisedë të dobishme dhe inkurajuese për të vijuar punën e të jemi të gatshëm në kohë për të ndërmarrë hapin e radhës me BE. Ndamë opinionet tona për diçka e cila është shumë shqetësuese dhe për të cilën ju personalisht po merreni dhe po punoni kaq fort. Kjo ka të bëjë me të gjithë stabilitetin e rajonit njëkohësisht për progresin e rajonal sepse ne jemi pjesë e një rajoni që ka vuajtur në të shkuarën e nuk na duhet një kthim pas. Ne nuk mund të shohim vetëm pragun e shtëpisë tonë pa patur parasysh se ç’po ndodh me vendet fqinje dhe efektet shkatërruese që mund të ketë jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën por edhe për të gjithë rajonin. Udhëheqësit nuk duhet të largohen nga konferenca pa patur një marrëveshje të përbashkët”, tha Rama.

Top Channel