Në prag të festë së Kurban Bajramit, myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, i përcolli urimet e tij besimtareve myslimanë.
Ai kujtoi sesi kjo festë ka domethënien e “paqes, drejtësisë, unitetit dhe mirëkuptimit”. Në Arabinë Saudite ka nisur pelegrinazhi i përvitshëm i Haxhit, një nga pesë shtyllat e Islamit, e Tërnava e përmendi këtë fakt në fjalën e tij.
“Përmes haxhit shprehet detyrimi ndaj Zotit..Në mesin e miliona haxhilerëve që sot gjenden në Arafat, janë edhe besimtarët tanë nga Kosova dhe viset tjera, të cilët në formën më të mirë, me lutje e adhurim, të përkushtuar, pa dallim statusi shoqëror, shprehin përkushtimin e tyre ndaj krijuesit…Prirja e Kurbanit mbyll hendekun mes shtresave”, u shpreh Tërnava.
Festa e Kurban Bajramit është e dyta pas Fitër Bajramit, e cila shënohet rreth dy muaj më herët. Që të dyja ato konsiderohen ndër festat më të rëndësishme në kalendarin islam. Shumë myslimanë nëpër botën therin një kurban, ritual ky që të kujton sakrificën e Ibrahimit apo Abrahamit të përmendur në Kuran dhe Bibël, i cili ishte gati të sakrifikonte djalin e tij me urdhër të Zotit.
Top Channel