Ilkay Gundogan është futbollisti më i ri i Barcelonës.
Marrëveshja ishte arritur prej ditësh, ndërkohë që sot ka ardhur zyrtarizimi i mesfushorit gjerman te kampionët e Spanjës.
Klubi katalanas ka njoftuar afrimin e ish-kapitenit të Manchester City, i cili edicionin e fundit fitoi tripletën me skuadrën e Pep Guardiolës.
32-vjeçari, autor i 67 ndeshjeve dhe 17 golave me kombëtaren e Gjermanisë, ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Barcelonën. Me opsionin e rinovimit deri në verën e vitit 2026.
Në akordin mes palëve është përfshirë edhe klauzola e shitjes së tij në të ardhmen: plot 400 milionë euro. Gundogan është një mesfushor i kompletuar dhe plot eksperiencë.
Lojtari me origjinë turke ka një raport të mirë edhe me golin. Xavi e donte me çdo kusht në skuadrën e tij, dëshirë që iu plotësua më në fund. Gundogan kaloi në “Camp Nou” si lojtar i lirë.
Ai ishte pjesë e The Citizens prej vitit 2016. Më parë ka luajtur edhe me Borussia Dortmund e Nuremberg në Gjermani.
Top Channel