Ulet sipari i Lojërave Speciale në Berlin, Shqipëria kthehet me 5 medalje dhe shumë kënaqësi

26/06/2023 08:24

Lojërat Olimpike Speciale Berlin 2023 ulën siparin mbrëmjen e të dielës në Brandenburg, në një ceremoni po aq spektakolare sa vetë eventi, ku prej datës 17 qershor, sportistët me aftësi ndryshe treguan se janë të njëjtë, në sport e në jetë.

Në ceremoni morën pjesë presidenti i Special Olympic International, Timothy Shriver, teksa flaka olimpike u dorëzua te organizatorët e Lojërave të radhës, që do të mbahen në Torino më 2025-ën, para se të shpërthenin fishekzjarret.

Nën mbështetjen e pakufizuar të Coca-Colës, në Lojërat Olimpike Speciale të Berlinit u përfaqësua me 10 sportistë edhe Shqipëria, që garoi në sporte si noti, peshëngritja, atletika e basketbolli, teksa grupi udhëhiqej nga solisti i mirënjohur i grupit West Side Family, Roland Hysi.

Ndonëse një event ku rezultati sportiv kalon në plan të dytë, sportistët e Special Olympics Albania ia dolën të bëjnë një përfaqësim dinjitoz, duke i dhënë vendit tonë edhe medaljet e para Olimpike.

Rezultatet e sportistëve të Special Olympics Albania

Rezultati më i mirë ishte padyshim ai i notarit Gersi Troka, që ia doli të marrë medalje të artë në 200 metra stil i lirë, e para medalje e artë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike Speciale.

Vetëm një ditë më vonë, bëri një garë mjaft të mirë edhe peshëngritësi Adi Sula, që i dha Shqipërisë plot 4 medalje, dy argjendi e dy bronzi, duke konfirmuar traditën e mirë të kuqezinjve në ngritjen e shtangës.

Në atletikë, Lulzim Koçi tërhoqi vëmendjen mediave botërore për mënyrën e festimit, e ngjashme me atë të atletit më të madh Usain Bolt, teksa videoja bëri me shpejtësi xhiron e rrjeteve sociale.

Ndërsa në basketboll, sportistet e Special Olymics Albania shijuan emocionet e pjesëmarrjes, por edhe duartrokitjet e vullnetarëve në shkallët e impianteve sportive, çka në thelb ishte edhe qëllimi i këtyre i eventit.

Çfarë janë Special Olympics Games

Lojërat Olimpike Speciale Botërore organizohen që prej vitit 1968 në partneritet të ngushtë ne Coca-Colën, teksa sportistë me aftësi ndryshe garojnë për qëllim madhor si gjithë-përfshirja. Disiplina dhe puna në grup janë elementët kryesorë që promovohen në këto lojëra, si aftësi që shërbejnë edhe në integrimin e sportistëve në jetën e përditshme.

Në Lojërat e Olimpike Speciale të Berlinit morën pjesës rreth 7000 sportistë nga mbi 190 vende të ndryshme, mes të cilëve edhe Shqipëria, të cilët treguan edhe njëherë se pavarësisht aftësive ndryshe, mund t’ia dalin të shfaqen njësoj, nëse u jepet përkrahja dhe mbështetja e duhur. /Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA