Kryeministri Edi Rama e quan të vonuar lirimin e tre policëve të Koosvës që mbaheshin peng nga Serbia, por lajm të mirë për hapjen e rrugës së dialogut.

Nga Brukseli ku ndodhet për të intensifikuar përpjekjet në zbutjen e tensioneve në Veri të Kosovës, kryeministri Edi Rama komentoi me doza pozitiviteti lirimin e tre policëve shqiptarë kapur nga forcat serbe në kufi.

“Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës. Uroj që me forcën e arsyes të nisë menjëherë de-eskalimi i shumëpritur nga të gjithë dhe të zgjidhim më tej edhe nyjet e procesit të normalizimit përfundimtar mes Kosovës e Serbisë”.- tha Rama.

Mësohet se prej rrëmbimit të tre policëve kosovar kryeministri Rama ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët e përfshira, ato europiane, amerikane, edhe serbe.

Burime diplomatike në dijeni të këtyre bisedimeve pohojnë se Edi Rama ka ushtruar influencën e tij për lirimin e tre policëve jo vetëm drejtpërdrejtë me presidentin Vuçiç.

Madje duke e thënë edhe publikisht se çdo nismë rajonale do të zërohej  nëse policet nuk liroheshin.

Diplomacia aktive e Edi Ramës për këtë çështje  shfrytëzoi  edhe  lidhjet e  ngushta të Vucic me kryeministrin hungarez Orban kur ai vizitoi Tiranën.

Pikërisht në këtë takim mësohet se Rama ka nxitur kryeministrin Orban për tu bërë pjesë e negocimit me Vucic, i cili ka rezultuar i suksesshëm me lirimin e tre policëve.

Situata në Veri thekson kryeministri Edi Rama  degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një “Donbasi” ballkanik mu në zemër të Europës. Prandaj sipas tij është e nevojshme sa më parë…..

“Konferenca pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euro-atlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit. Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin”.

Kryeministri Rama thekson se “miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare.

Top Channel