Ballkani ka dominuar futbollin në Kosovë në dy vitet e fundit. Duke fituar dy titujt e parë kampion në histori.
Skuadra e Ilir Dajës shkroi edhe historinë sezonin e kaluar, duke u kthyer në skuadrën e parë dardane që kualifikohet në një kompeticion evropian (Conference League).
Klubi nga Theranda ka marrë dy urime të veçanta për fitimin e titullit kampion. Nga Milani, skuadra historike dhe ikonike e futbollit botëror. Dhe Dinamo Zagreb, rekordmenët e futbollit kroat.
“Të dashur tifozë,
Kemi kënaqësinë që dy klube me traditë të futbollit evropian, na ka dërguar telegrame urimi, me rastin e triumfit për të dytin vit me radhë, në Superligën e Kosovës në futboll.
Është nder i madh për ne që të përgëzohemi prej njërit nga klubet më të trofeshëm dhe ikonik në botë, AC Milan.
Njëkohësisht duke qenë se jemi në prag të ndeshjes së parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve, të marrësh një urim nga gjiganti i dytë për nga titujt në histori të Champions League, është motiv shtesë për secilin prej nesh.
Që të japim gjithçka nga vetja, të paraqitemi sa më denjësisht në Evropë. Njëjtë, me nder e kënaqësi, kemi pranuar telegramin edhe nga klubi që ka shkruar historinë në futbollin e Kroacisë, Dinamo Zagreb.
Madje për ne kjo ka një peshë shumë të madhe, jo vetëm për lidhjet tona historike me popullin kroat, por edhe si një klub shembull që punon dhe nxjerrë talente të jashtëzakonshëm, të cilët pushtojnë klubet më të mëdha në botë.
Faleminderit dhe shumë respekt nga FC BALLKANI”, lexohet në postimin zyrtar të kampionëve të futbollit dardan.
Shorti i raundit të parë kualifikues në Champions League, vendosi Ballkanin përballë Ludogorets Razgrad, kampionët e Bullgarisë. /Supersport
Top Channel