GJKKO rrëzon kërkesën e Belerit për t’u betuar si kryebashkiak, reagon Greqia

26/06/2023 16:15

Ministria e Jashtme greke në një njoftim të fundit të saj ka reaguar sa i përket refuzimit të kërkesës së kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri për dhënien e një leje të posaçme daljeje nga burgu dhe pjesëmarrjes në betim në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të këtij qyteti.

Në njoftim thuhet: Kërkesa e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris, për të marrë një leje të posaçme, në mënyrë që të jetë pjesëmarrës  nesër në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak, si dhe të bëjë betimin dhe të marrë zyrtarisht detyrën, u rrëzua sot. Ky refuzim tregon tani, pa asnjë dyshim, se qëllimi i autoriteteve shqiptare është ta privojnë atë, pa një dënim përfundimtar dhe pa u akuzuar, nga detyra e kryetarit të Bashkisë, në të cilën ai u zgjodh në mënyrë demokratike nga qytetarët e zonës. Si kandidate për anëtarësim në familjen europiane, Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe të drejtën e pafajësisë deri në zhvillimin e gjyqit.

Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur për Bashkinë Himarë nuk do të betohet si kryetar ditën e nesërme para Këshillit Bashkiak.

Gjatë ditës së sotme gjyqtarja Atalanta Zeqiraj e refuzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës të Fredi Belerit, të cilët kërkuan autorizim të veçantë në mënyrë që ai të linte ambientet e spitalit të burgut për t’u paraqitur në një mbledhje, për të cilin anëtarët e këshillit e njoftuan përmes një shkrese.

Anëtarët e këshillit në këtë dokument njoftojnë Fredi Belerin përmbajtjen e mbledhjes me tre pika, konstituohet Këshilli Bashkiak i Himarës dhe do duhej të kryhej dhe ceremonia për marrjen e detyrës si kryebashkiak. Ai kërkoi në gjykatën anti-korrupsion që të ishte i pranishëm dhe u rrëzua kërkesa.

Avokatët pretenduan se drejtësia shqiptare e ka pasur një rast të tillë. Në 2015, ish-deputeti Mark Frroku i kërkoi gjykatës autorizim të veçantë që të ishte i pranishëm si deputet, kërkesë e cila ishte pranuar. Megjithatë gjyqtarja e rrëzoi se nuk janë para kushteve që të aprovohej.

Sipas GJKKO nuk i plotëson kushtet, ndërsa avokatët do përsërisin kërkesën. Tanimë do të kemi ngërç juridik, sesi gjykata e Vlorës e ka njohur  mandatin, ndërsa do duhet që Këshilli Bashkiak ta rinjoftojë Belerin që mbahet i paraburgosur për blerje votash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA