Vllaznia vijon fazën përgatitore në Bosnjë & Hercegovinë, nën drejtimin e trajnerit Migen Memelli, teksa drejtori sportiv Elvis Plori po punon për të përforcuar sa më shumë organikën në dispozicion të pogradecarit.
Deri tani nga shkodranët janë larguar më shumë se një formacion, teksa kanë ardhur disa futbollistë të tjerë, por së fundi drejtuesit po provojnë të rikthejnë në “Loro Boriçi” mesfushorin Ardit Krymi.
I larguar nga shkodranët një vit më parë për t’u bashkuar me Shakhtar Soligorskun në Bjellorusi, ish-kapiteni i kuqebluve nuk e ka pasur fort të lehtë përplasjen dhe kjo shpjegon edhe faktin që ka luajtur vetëm 16 ndeshje, gjysmën e të cilave i ka nisur nga stoli.
Burime për SuperSport bëjnë me dije se Vllaznia ka bërë tashmë ofertën e saj, për të rikthyer në Shkodër ish-kapitenin, teksa pritet përgjigja e Krymit, që nga ana tjetër ka premtuar se në Shqipëri nuk do të luajë me asnjë skuadër tjetër.
Ardit Krymi do të ishte padyshim një rikthim me peshë në Shkodër, ndonëse tashmë kuqeblutë kanë edhe dy futbollistë të tjerë të ngjashëm si Lorik Boshnjaku dhe Rejan Alivoda.
Cilësitë e Krymit janë të njohura tashmë dhe një rikthim te kuqeblutë, do të ndizte edhe entuziazmin në radhët e tifozerisë shkodrane, që e ka jo pak përzemër mesfushorin luftarak.
Top Channel