Kombëtarja merr pushimet! Sylvinho: Edhe 5 finale, shihemi në shtator!

25/06/2023 20:04

Pas një periudhe jo të mirë të përfaqësueses kuqezi, kjo për shkak të rezultateve të edicionit të shkuar, por edhe fillimi i kësaj aventure me humbjen me Poloninë, u duk se kombëtarja vuante nga e njëjta sindromë, e ashtuquajtur, “humbje dinjitoze”.

Megjithatë atmosfera brena ekipit dhe puna e trajnerit me orë të zgjatura në zyrë, analiza por edhe biseda me lojtarët, kishte sjellë një frymë të re në kombëtare.

“Mund të flasim më mirë për katër muaj punë, por edhe për ndeshjen e parë me Poloninë. Më pas bëhet, jo thjesht më e lehtë, por sa herë që mblidhemi me lojtarët në grumbullim për 7 apo 10 ditë, bëhet më e lehtë për të punuar me ta, sepse ata i njohin tashmë praktikisht konceptet dhe idetë tona të futbollit. Njëkohësisht edhe ne si staf teknik i njohim më mirë lojtarët”- tha Sylvinho, trajner i kombëtares.

Dhe të gjitha këto fjalë të trajnerit kuptohen pas dy ndeshjeve të qershorit, rreth 2 javë të tjera grumbullim dhe skuadra mban të njëjtin ritëm loje, ka vazhdimësinë, luan shpejt, bukur, krijon shumë raste dhe ndryshe nga takimi me Poloninë, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, ekipi është më efikas dhe shënon, fiton.

“Mendoj se në dy ndeshjet e fundit kemi bërë një lojë të bukur, ishin dy sfida të ndryshme dhe të vështira. Moldavia është një skuadër e fortë fizikisht, e vendosur mirë në fushë, e përgatitur mirë. Në sulm ka lojtarë të fortë, por unë mendoj se ne e kemi menaxhuar shumë mirë ndeshjen dhe kemi merituar fitoren në të dyja sfidat. Më pas Ishujt Faroe ishte një transfertë shumë e vështirë, që nga udhëtimi, fusha me bar sintetik dhe në goditjet standarde viheshim në vështirësi.”- ies.

Sakaq, në shtator janë dy ndeshje shumë të vështira ndaj Republikës Çeke në transfertë e më pas me Poloninë në shtëpi. Për Silvinjon çdo sfidë duhet vlerësuar maksimalisht dhe këmbëngul në faktin se kombëtarja ka përpara edhe pesë finale për të arritur objektivin madhor të kualifikimit.

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, ndeshja e parë në Poloni ishte e rëndësishme, dy ndeshjet e qershorit ishin shumë të rëndësishme dhe është e drejtë. Tani ndeshja më e rëndësishme e jona është ajo ndaj Republikës Çeke e më pas kemi Poloninë. Ne kemi për të luajtur 5 finale, duhet të luajmë fort në këto pesë ndeshje dhe të shohim më pas se çfarë do të ndodhë.”– tha Sylvinho, trajner i kombëtares.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA