Me urdhër të Prokurorisë, Gjykata e Shkodrës vendosi masa sigurie për 14 zyrtarë të policisë lokale, të dyshuar se shpërdoruan detyrën duke mos kryer veprime aktive për të parandaluar mbjelljen e drogës në zonën e Anës së Malit.
Parcelat e zbuluara qershorin e 2022, që i përkisnin një grupi prej 17 kultivuesish të arrestuar në atë kohë, u asgjësuan me djegie mbas një informacioni të përcjellë prej Shërbimit Informativ në Policinë e Shtetit.
Prokurorja e çështjes Blerta Hamza thotë në dosjen që TCH e disponon se njëri nga oficerët e policisë, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në komunitet në fshatin Vallas ku dhe u gjetën parcelat, mbas planit të masave për operacionin antidroge dyshohet se ka orientuar grupet e FNSH me koordinata te gabuara, duke arsyetuar se në zonën ku po shkohej nuk funksiononin valët e kompanive celulare.
Më tej po në datën 16 qershor 2022, hetimi zbuloi se polici ia dërgoi koordinatat e vendndodhjes së kolegëve njërit prej trafikantëve i identifikuar si Ermis Sela.
Mes zyrtarëve të policisë ndaj të cilëve gjykata shpalli pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit janë edhe Hajri Kushe, zv drejtor i Policisë Shkodër, Asllan Shyti ish shef rendi, Arben Dekovi ish shefi oficer i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që duhet të kontrollonte veprimet e kolegëve, Dedim Gjeta ish shef i krimeve në atë kohë, si dhe Pëllumb Memaj ish shef krimesh.
Gjithë të tjerët janë policë të zonës Obot, Velipojë ku u korrën gati 70 mijë rrënjë kanabis.
Të gjithë ish zyrtarët janë pezulluar nga detyra ndërkohë që mbrojtja deklaron se do t’i kundërshtojnë masat e sigurisë. Sidoqoftë Prokuroria thotë se zyrtarët nuk morën masa që të parandalonin fenomenin dhe se nuk morën në kohë të saktë informacionin siç e kishte siguruar agjencia SHISH.
Veprimtaria e kultivuesve pohon prokurorja Hamza kishte kohë që kishte filluar dhe zhvillohej e pashqetësuar, ndërkohë që eprorët e dyshuar gjatë qershorit 2022 nuk kishin lënë detyra konkrete tek vartësit, çka do të sillte parandalim të mbjelljes së drogës.
Megjithatë këtë argumentim pritet që oficerët e dyshuar të mbrohen në gjykatë me anën tjetër të historisë që është ajo e asgjësimit të parcelave dhe finalizimin e hetimeve në atë kohë duke arrestuar edhe kultivues e organizatore dhe konkretisht Ardjan Tahirin, Besmir Rexhepin, Hekuran Myrtjen, Liljana Copanin, Arben Dekovin, Danjena Hasanin e duke shpallur në kërkim dhe tetë të tjerë.
Top Channel