Sondazhi SHBA, gjysma e amerikanëve: Djali i Bidenit, trajtim preferencial!

24/06/2023 14:31

Një anketim i realizuar nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania e sondazheve IPSOS tregon se gjysma e amerikanëve besojnë se Hunter Biden, djali i Presidentit Joe Biden u trajtua në mënyrë preferenciale për arritjen e një marrëveshjeje me Departamentin e Drejtësisë ku ai pritet të pranojë fajësinë për akuzat federale që lidhen me mospagim të taksave federale dhe për armëmbajtje pa leje gjatë kohës që ishte përdorues droge.

Falë kësaj ujdie ai pritet të shmangë dënimin me burg. Sondazhi tregon se amerikanët ishin të ndarë sipas bindjeve partiake në mënyrën si e shihnin këtë çështje. Konkretisht, nga personat e anketuar, 75 për qind e tyre me bindje republikane besonin se zoti Hunter Biden u trajtua në mënyrë preferenciale, krahasuar me vetëm 33 për qind të demokratëve.

Ish-Presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij republikanë e kane kritikuar marrëveshjen e prokurorëve me Hunter Biden dhe shqetësimet për standardet e dyfishta në sistemin e drejtësisë amerikane janë tashmë një temë në fushatën presidenciale të vitit 2024. Sipas akuzës, Hunter Biden pati të ardhura prej më shumë se 1.5 milion dollarësh në vitin 2017 dhe 2018. Por ai nuk pagoi tatimet mbi të ardhurat për ato vite, pavarësisht detyrimeve prej më shumë se 100,000 dollarësh.

Ai akuzohet se zotëronte në mënyrë të paligjshme një armë zjarri për disa ditë në tetor të vitit 2018, kohë kur ai përdorte dhe kishte varësi ndaj drogës. Në Shtetet e Bashkuara është e paligjshme që përdoruesit e drogës të mbajnë armë zjarri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA