Raportuesi përgjegjës për Ballkanin Perëndimor i partisë FDP në Bundestagun gjerman, Thomas Hacker, u shpreh se Kosova e Serbia kanë vazhduar të fajësojnë njëra tjetrën duke iu larguar një zgjidhjeje të përbashkët të situatave të krizës.

“Pas Krishtlindjeve kishim menduar se tensionet më të mëdha – bllokadat në veri të Kosovës – i kishim lënë pas. Tani po përballemi me tensione të reja. Policë rrëmbehen ose arrestohen, nga njëra anë thuhet se janë rrëmbyer në territorin e tyre, nga ana tjetër se janë kapur në territorin serb.

Konfliktet sjellin me vete një dinamikë të rrezikshme që është pothuajse e pamundur të kontrollohet. Disa ushtarë të KFOR-it u plagosën rëndë gjatë protestave në fund të majit. Ky është një nivel i ri përshkallëzimi. Tani duhet të jetë vendimtare që të gjitha palët të kthehen në një proces normal të dialogut”, u shpreh ai për DË. Deputeti shtoi se sulmet ndaj trupave të KFOR-it duhet të ndiqen penalisht.

“Serbia duhet t’i lirojë tre policët kosovarë menjëherë dhe pa kushte. Vetëm atëherë do të mund të kthehemi në një fazë dialogu. Duhet theksuar se Aleksandar Vuçic është çdo gjë tjetër, por jo paqebërës në rajon. Ai duhet të marrë vendimin tani”, shtoi Hacker. Ligjvënësi gjerman sqaroi se pret ga Prishtina zyrtare që të zbatojë marrëveshjet, veçanërisht në lidhje me komunitetin serb në veri të Kosovës.

Serbia i ka bërë të qarta kërkesat e saj. Ato sigurisht që nuk duhet të përmbushen të  tëra. Por edhe pala kosovare duhet të paraqesë një propozim, një model fillestar që mund të avancohet në bisedimet me Serbinë dhe me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian”, pohoi ai.

Top Channel