Fshatrat malorë të cilët janë të privuar nga fushat e mëdha bujqësore, historikisht e kanë mbështetur ekonominë e tyre familjare në blegtori.
Por braktisja e fshatrave, sidomos nga të rinjtë, ka sjellë edhe zhdukjen e bagëtive. Në Rrajcë Sutaj të Prrenjasit, ka mbetur vetëm një tufë bagëti. Që 16 vjeç Musa Halili kujdeset për to, ndërsa tashmë numëron rreth 300 kokë bagëti.
“Këtu në Sutaj nuk ka fare, ka pasur dikur. Fshati ka pasur 300 kokë dhi edhe fshati tjetër ka patur mbi 200-300 kokë, tani nuk kanë asnjë. Edhe në kohën e Enver Hoxhës edhe tani, unë me këto jam mbajtur”, shprehet Musa Halili.
E teksa djemtë më shumë qëndrojnë në emigrim Musai gjykon se të ardhurat e tyre në emigrim janë më të vogla se të ardhurat nga bagëtia në Rrajcë, por ai gjykon se rinia largohet vetëm nga mentaliteti për t’ju larguar fshatit.
“Të rinjtë e shumtë kanë ikur, këtu tek ne ka sa mosha ime dhe poshtë”, tha Musai.
Musai thotë se edhe subvencionet që ka përfituar për mbarështimin e bagëtive e kanë ndihmuar, sidomos gjatë dimrit kur i duhet të blejë ushqim.
Top Channel