Dy prej viktimave të nëndetëses së shkatërruar në atë që duhet të ishte një udhëtimin i paharrueshëm drejt mbetjeve të Titanikut të fundosur në 1912-shin, ishin biznesmeni pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij 19-vjeçar, Suleman.
Halla e tij rrëfeu se Sulejamni, që studionte në një universitet britanik, ishte i tmerruar nga udhëtimi, por iu bashkua ekuipazhit vetëm për të kënaqur të atin në Ditën e Baballarëve. Asnjë nga pesë personat në bord nuk i mbijetuan shpërthimit katastrofik në batiskafin e kompanisë OceanGate, i cili sipas Rojes Bregdetare amerikane ndodhi vetëm 500 metra larg mbetjeve të anijes më të famshme në histori. Viktimat e tjera ishin CEO i OceanGate, Stockton Rush, veterani i Marinës Franceze Paul-Henri (PH) Nargeolet dhe miliarderi britanik Hamish Harding.
Revista Forbes përcjell rrëfimin e një ish-punonjësit të OceanGate, i cili kishte shprehur në 2018-tën shqetësime lidhur mbi cilësinë e inspektimit të nëndetëses dhe sigurinë e saj, por pohimet e tij u pritën me skepticizëm e mohim nga ana e kompanisë, dhe u pushua nga puna.
David Lochridge, një drejtues skocez nëndetësesh, e hodhi asokohe në gjyq OcenGate për pezullim të padrejtë, teksa i ishin dhënë vetëm 10 minuta kohë për të pastruar tryezën e punës e për t`u larguar. Autoritetet e konfirmuan një ditë më parë vdekjen e të pesë personave në bordin e nëndetëses Titan, udhëtim ky për të cilin kishin paguar secili 250 mijë dollarë.
Titani që operohej nga kompania private amerikane “OceanGate Expeditions”, u zhyt të dielën në orën 8 të mëngjesit në afërsi të brigjeve kanadeze. Ajo humbi kontaktin me anijen që e shoqëronte, në përfundim të asaj që duhej të kishte qenë një zhytje dy-orëshe në pjesën veriore të oqeanit Atlantik, për të parë rrënojat e Titanikut.
Top Channel