Dy shpërndarës droge bien në prangat e policisë pas një hetimi disa mujor, sekuestrohen edhe 150 doza kokaine.
Të rinjtë e arrestuar dyshohet se shisnin doza të lëndës narkotike kokainë, në lokalet e natës, në zonën e plazhit.
Përveç 150 dozave të gatshme për shitje, policia sekuestroi një automjet, një peshore elektronike dhe 4 celularë.
Policia bëri me dije se si rezultat i një hetimi 5-mujor me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, organizuan operacionin policor antidrogë i koduar “Qindra”.
Në bazë të provave të siguruara nga hetimi, specialistët e seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja” të kësaj drejtorie, kapën dhe vunë në pranga shtetasit Mariglen Mulellari, 25 vjeç dhe Enriko Gjoka, 23 vjeç, të dy banues në Xhafzotaj, Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin dhe shitnin doza të lëndës narkotike kokainë, kryesisht në lokalet e natës, në plazh.
Hetimet e mëtejshme do të kryhen nga prokuroria e Durrësit.
Top Channel