Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, njofton Zyra e Presidentes së Kosovës.
Në njoftim thuhet se Osmani dhe Hovenier kanë biseduar për zhvillimet e fundit, “me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë në veri të vendit”.
“Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e lirimit të menjëhershëm dhe pa kushte të policëve të Kosovës të cilët u kidnapuan nga Serbia brenda territorit të Kosovës. Ajo po ashtu shprehi mirënjohje për qëndrimin e qartë të SHBA-ve sa i përket lirimit të policëve”, thuhet në njoftim.
Tre policë kufitarë të Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor. Autoritetet serbe thonë se ata janë arrestuar thellë në territorin e Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e Kosovës theksojnë se tre policët kosovarë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.
Në takimin e presidentes Osmani dhe ambasadorit Hovenier, siç njoftohet nga Zyra e Presidentes së Kosovës, është diskutuar edhe “për hapat e mëtejmë për shtensionimin e situatës dhe nevojën e bashkërendimit me partnerët” perëndimorë.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.
Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Përleshja rezultoi me dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.
Të enjten, në Bruksel, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell, është takuar ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar për menaxhimin e krizave.
Siç ka njoftuar më herët BE-ja, “diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve të tashme, në mënyrë që [palët] të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”./REL
Top Channel