Shteti nuk ka laborator për analizimin e llojit të ndotjes, ngecin hetimet për zbardhjen e origjinës së ndotjes mjedisore që u shkaktua nga mbetjet e hidrokarbureve në Durrës.
Prokuroria e Durrësit ka vendosur të kërkojë riekspertim të ndotjes që “sulmoi” impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura të Durrësit për të zbardhur krimin mjedisor të shkaktuar në këtë sezon turistik. Pasi bllokuan për 4 ditë rradhazi punën në impiantin e Shënavlashit në Durrës, përgjigjet e analizave nga Inspektoriati Shtetëror Teknik e Industrial i kanë futur në ngërç hetimet.
“Realizimin e veprimtarisë ISHTI e kryen nëpërmjet inspektorëve, sipas strukturës së përcaktuar dhe në këtë kuptim nuk ka ekspertë, kjo nuk parashikohet në detyrat ligjore të këtij institucioni, për më tepër ju lutem drejtojuni ekspertëve të pavarur”- thuhet në përgjigjen e ISHTI-së per komisariatin e policisë së Durrësit.
Pasi kanë pritur për ditë të tëra përgjigjet e analizave nga laboratori i specializuar i Naftës e Gazit i këtij inspektoriati, grupi hetimor duhet t’ia nisë nga e para për të gjetur se laboratorët privatë që mundësojnë analizat, ndërsa drejtuesit e impiantit duhet të mbajnë ende të bllokuar në autobote ndotjen pa mundur ta shkatërrojnë atë në funksion të hetimit. Tetë ditë pas ndotjes masive mjedisore që iu shkaktua impiantit dhe ekomjedisit në Durrës.
Përcaktimi i llojit të ndotjes nga ISHTI konsiderohej nga grupi hetimor si gur themeli për evidentimin e subjektit që derdhi në kanalet e plazhit mbetje hidrokarburesh që shkaktuan dëme në impiant dhe derdhjen e ujërave të patrajtuara në det. Me kalimin e ditëve zbardhja e kësaj ngjarjeje të rëndë mjedisore dhe zbulimi i personave që e shkaktuan atë bëhet edhe më i vështirë.
“Mospërcaktimi i lëndës na e vështirëson shumë hetimin“- shprehen burime nga grupi hetimor.
Top Channel