Korrupsioni në Shëndetësi/ Sekretarja dhe punonjësja e Ministrisë kërkuan lirinë, Apeli rrëzon kërkesën

22/06/2023 12:43

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit u zhvillua këtë të enjte seanca e kërkuar nga ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro dhe punonjësja e kësaj ministrie, Laureta Shteto, të cilat janë në arrest nën akuzën e korrupsionit pasiv.

Të dyja kërkuan lehtësim të masës, pasi sipas tyre, vepra penale nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore. Po ashtu, mbrojtja tha se lirimi apo lehtësimi i masës së sigurisë ndaj tyre, nuk do të çojë në prishje apo tjetërsim të provave. Por, Apeli rrëzoi kërkesën e Duros dhe Shtetos, duke i lënë në burg.

Ish-sekretarja dhe punonjësja e Ministrisë së Shëndetësisë kanë mohuar akuzat ndaj tyre dhe kanë deklaruar se nuk ishin në dijeni se në zarfin që morën kishte para.

Joana Duro, e cila kishte një vit që e mbante këtë post u gjurmua nga SPAK pasi iu paguan 330 mijë lekë për favorizim në një tender ku garonin tetë kompani.

Shuma sipas versionit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, iu pagua sekretares së përgjithshme nga një tjetër nëpunëse e shtetit, e identifikuar si Laureta Shteto, me detyrë specialiste e nivelit të lartë të Agjencisë së Shërbimeve Publike të Integruara.
Shuma e parave, për të cilat SPAK thekson se janë përfitim i parregullt, janë sekuestruar në vazhdimësinë e operacionit, në zyrat e sekretares së përgjithshme, që gjenden në Ministrinë e Shëndetësisë.

Pas arrestimit të tyre, SPAK arrestoi edhe administratorin dhe inxhinierin e firmës “Dricons” të cilët kishin paguar 330 mijë lek ryshfet me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA