Kontrollin me urdhër gjykate në Kampin Ashraf 3 të MEK, Sali Berisha tentoi pa sukses ta përdorte për ndryshimin e rendit të ditës në Parlament.
I njëjti Sali Berishë i cili në Mars të vitit 2013, atëherë kryeministër kur pranoi 210 anëtarë të MEK, këtë të enjte i përdori për politikë të brendshme. Lëshoi akuza të pa mbështetura në fakte ndaj SPAK.
“Ndjehem sot muxhahedin më shumë se kurrë, sepse aktakuza e djeshme, që lexuam, është historia më e turpshme për një vend. Ajo ishte e shkruar në Teheran. Aktakuza bazohej e tëra në shpifje, trillime të shërbimeve të ajatollahëve ndaj luftëtarëve të lirisë. Aktakuza përmbante elementë të poshtërimit ekstrem të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikur nuk është një vend anëtar i NATO-s, por sikur është një vasal i Iranit. Sikur është Siria e Aasadit, mund të shkruhej në atë mënyrë”, tha Berisha.
Më pas sulmi nuk kurseu ministrin e punëve të brendshme Bledi Çuçi për të cilin Berisha kërkoi dorëheqjen.
Pasi Berisha ngriu për një minutë heshtje i vetëm në foltoren e kuvendit, Taulant Balla Kreu grupit parlamentar socialist pati këtë përgjigje për Berishën.
“Sali Berisha që bën sikur i dhemb barku për atë që po heton drejtësia shqiptare, bën të njëjtën gjë sa herë që drejtësia bën detyrën e vet. Kuvendi i Shqipërisë as nuk mund të përfshihet dhe as nuk mund të ndërhyjë në çështje që i takojnë vetëm drejtësisë. Koha kur politika apo vetë Kuvendi përfshihej në çështjet e drejtësisë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë në themelet që po ngrihet drejtësia e re. Kjo është një çështje ku Policia e Shtetit ka zbatuar vendimin dhe urdhrin e SPAK”, tha Balla.
Top Channel