Ish kryeministri Sali Berisha ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditë në Kuvend, duke kërkuar shtimin e çështjes së aksionit të policisë në kampin MEK në Manzë të Durrësit.
Ai tha se sot ndjehet një muxhahedin, luftëtar i lirisë, ndërsa hodhi akuza ndaj policisë për vdekjen e njërit prej tyre.
Berisha kërkoi largimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm dhe një minutë heshtje për viktimën.
Kjo është kundërshtuar nga kreu grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili theksoi se Kuvendi nuk mund të përfshihet në çështje që i takojnë drejtësisë.
Berisha: Jam këtu për të deklaruar sot se në këtë moment ndjehem më shumë se kurrë njëri prej tyre, ndjehem një muxhahedin, luftëtar i lirisë. U shpreh atyre ndjenjat e mia më të sinqerta të mbështetjes dhe simpatisë. Ndjehem sot muxhahedin sepse qeveria amorale e këtij vendi vrau në bukë të vet, në strehë të vet, një luftëtar lirie. Ndjehem sot muxhahedin më shumë se kurrë, sepse aktakuza e djeshme që lexuat, është historia më e turpshme për një vend. Ajo ishte e shkruar në Teheran. Aktakuza bazohej e tëra në shpifje, trillime të shërbimeve të ajatollahëve ndaj luftëtarëve të lirisë. Aktakuza përmbante elementë të poshtërimit ekstrem të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikur nuk është një vend anëtar i NATO-s, por sikur është një vasal i Iranit. Të marrësh ato për bazë, për të ushtruar një reprezalje më të turpshme në historinë e këtij vendi. Ndaj kërkoj largimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm. Kërkoj të mbajmë një minutë heshtje për martirin e lirisë që ra për t’u bërë i pavdekshëm. Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje!
Balla: Sali Berisha që bën sikur i dhemb barku për atë që po heton drejtësia shqiptare, bën të njëjtën gjë sa herë që drejtësia bën detyrën e vet. Kuvendi i Shqipërisë as nuk mund të përfshihet dhe as nuk mund të ndërhyjë në çështje që i takojnë vetëm drejtësisë. Koha kur politika apo vetë Kuvendi përfshihej në çështjet e drejtësisë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë në themelet që po ngrihet drejtësia e re. Kjo është një çështje ku Policia e Shtetit ka zbatuar vendimin dhe urdhrin e SPAK.
Top Channel